Një koleksion i rrallë me objekte origjinale të grupit legjendar The Rolling Stones, pritet të dalë në ankand më 4 dhjetor. I organizuar nga Heritage Auctions në Dallas, SHBA. Ankandi mban titullin “Satisfaction: The Rolling Stones Treasures from the Ali Zayeri Collection” dhe përfshin 185 objekte që përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të historisë së muzikës rock. Sende, që nga kitara e Brian Jones te xhaketa e Mick Jagger, posterat e koncerteve, bileta origjinale dhe sende personale të anëtarëve, do të dalin në ankand muajin e ardhshëm në një shitje që mund të mbledhë rreth 1.3 milionë dollarë.
Xhaketat dhe kitara që po tërheqin vëmendjen
Një nga objektet më të kërkuara është kitara elektrike Harmony Stratotone të bashkëthemeluesit të ndjerë të Rolling Stones, Jones, që kryeson shitjen me një vlerësim prej 200,000 – 400,000 dollarësh.
“Ishte kitara e tij e parë elektrike dhe është ajo, që ai luajti në koncertet e tyre shumë të hershme, në demo-t e tyre dhe madje edhe në këngën e tyre të parë, një ‘cover’ të këngës ‘Come On’ të Chuck Berry-t“, tha Charles Epting, drejtor i dërgesave, kulturës pop dhe historisë në Heritage Auctions.
“Ky nuk është një instrument i nivelit të lartë. Ky është ai që… dikush nga klasa punëtore në fillim të viteve gjashtëdhjetë do të kishte mundur ta përballonte, kështu që është një instrument shumë i përulur dhe modest që i hapi rrugën njërit prej grupeve më të mëdha të të gjitha kohërave.”
“Shumë nga artikujt në shitje rrjedhin nga vitet e hershme të grupit”, tha Epting. Artikuj të tjerë që i përkisnin Jones, i cili u largua nga grupi në vitin 1969 dhe vdiq pak më pas, përfshijnë një xhaketë kamoshi me thekë që ai e veshi për performancën e tij të fundit live me grupin, si dhe një libër për fëmijërinë. Gjithashtu, në shitje janë xhaketat e veshura nga këngëtari kryesor Jagger dhe kitaristi Keith Richards, si dhe shkopinjtë e baterisë të firmosur nga bateristi Charlie Watts.
“Vlerësimi më i lartë për shitjen është pak më shumë se 1.3 milionë (dollarë). Natyrisht, disa pjesë kyçe si kitara (e Jones) dhe xhaketat shpresojmë se do të gjejnë vend të ri dhe potencialisht mund ta rrisin atë çmim edhe më shumë“, tha Epting. “Mendoj se interesi i koleksionistëve do të jetë i lartë nga të gjitha anët e botës sepse ka pak grupe muzikore që tejkalojnë gjuhën, kufijtë, diçka si Rolling Stones.“, shtoi ai.
Ky ankand përfaqëson një rast të rrallë për fansat dhe koleksionistët që dëshirojnë të kenë në pronësi një copëz të historisë së Rrolling Stones. Objekte të tilla nuk janë thjesht kujtime, ato mbeten dëshmi të gjalla të epokës së artë të rock-ut britanik dhe ndikimit që ky grup vazhdon të ketë edhe sot, pas më shumë se gjashtë dekadash skenë.
(Burimi: Reuters)






