Nga kontrasT.al
Në peizazhin e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, Korridori 8 shfaqet si një emblemë e ambicieve evropiane – një arterie transporti që premton lidhje nga Adriatiku në Detin e Zi, duke nxitur tregtinë, turizmin dhe integrimin rajonal.
Por, siç dëshmojnë rrëshqitjet e tokës në segmentin Librazhd-Pogradec, ky korridor nuk është veçse një iluzion i shtrenjtë, ku miliona euro “rrëshqiten” apo “shkojnë” bashkë me dheun, duke lënë pas tym që kutërbon era korrupsion.
30 vjet për të zbuluar “Arrën e Gurrës”
Sipas legjislacionit shqiptar, veçanërisht legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit dhe atij për ndërtimin, çdo projekt infrastrukturor kritik si Korridori 8, kërkon një vlerësim të plotë mjedisor (VMM) dhe studime gjeologjike të detajuara për të parandaluar rreziqet si rrëshqitjet e masiveve tokësore.
Megjithatë, në rastin e segmentit Librazhd-Pogradec, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar duket se nuk është përfshirë në fazat fillestare të projektit, duke shkelur detyrimet kontraktuale dhe normat e sigurisë publike. Kjo mangësi administrative nuk është rastësi! Ajo reflekton një sistem ku përgjegjësia civile dhe penale e zyrtarëve shtetërorë – si ata të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSh) – shpërfillet në favor të kontratave të shpejta me kompani të përzgjedhura nga “lart”, si dolën të jenë “ANK” apo “2T”, të cilat me sforco mediatike po akuzohen për punime cilësore të dobëta.
Rrëshqitja në zonën “Arra e Gurrës” në Dragostunjë, e përfolur si e aktivizuar që 30 vjet më parë, është përkeqësuar nga reshjet intensive të javëve të fundit – duke krijuar një strukturë hinkore që ka shkatërruar plotësisht rrugën dhe urën aktuale. Ndërhyrjet për zgjerimin e Korridorit 8, duke përfshirë gërmimet pa studime të thella gjeoteknike, kanë kontribuar në destabilizimin e masivit, duke shkelur parimet e përgjegjësisë mjedisore sipas Direktivës Evropiane 2011/92/BE, të transpozuar në ligjin tonë kombëtar.
Pyetja e parë që të vjen natyrshëm në këtë rast është:
Vërtet vallë, do të duheshin plot 30 vjet për ta parë institucionet monitoruese këtë rrëshqitje të aktivizuar?
Ky “aneks” i Librazhdit – një devijim emergjent që për vete, gjithashtu, dështoi nga rrëshqitjet e reja – tregon se si shteti, në vend të parandalimit, preferon reagimin post factum, duke shndërruar infrastrukturën në një lojë rulete me fondet publike.
Kostoja e “rrëshqitjes” së parave publike
Ekonomikisht, ky incident nuk është thjesht një aksident natyror, por një manifestim i dështimit sistematik që kushton jo miliona, por miliarda. Investimi total në 8 akset rrugore të dëmtuara, duke përfshirë Librazhd-Pogradec, arrin në afro 1 miliard euro, ku vetëm segmenti në fjalë mund të ketë kushtuar rreth 50 milionë euro, me 4 km specifike të ndërtuara për 20 milionë euro nga kompania “ANK”. Këto fonde, të financuara pjesërisht nga buxheti shtetëror dhe huatë ndërkombëtare, tani “rrëshqasin” në riparime emergjente, duke krijuar një cikël vicioz të humbjeve.
Kostot e oportunitetit dhe dëmi makroekonomik
Kostot direkte të ndërtimit dhe riparimit: Vetëm për Librazhd-Pogradec, riparimi i urës së zhvendosur me 40 cm dhe rrugës së shkatërruar parashikohet të kërkojë dhjetëra milionë euro shtesë. “Çunat” e ARRSh-së po planifikojnë një rrugë alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin, por duke pasur parasysh dështimin e bypass-it të mëparshëm, kjo mund të shtojë 10-20% në buxhetin origjinal.
Në total, 956 milionë euro janë shpërdoruar në rrugët që po shemben, sipas akuzave politike, duke krijuar një barrë fiskale që mund të transferohet te taksapaguesit nëpërmjet rritjes së taksave ose shkurtimit të shërbimeve të ndjeshme sociale.
Nga eksperiencat e mëparshme, të tilla momente emergjence do të bëjnë që qeveria të zbatojë fonde emergjence, që sigurisht do të përfundojnë në “xhepa emergjentё”.
Ndikimi në ekonominë lokale dhe rajonale: Izolimi i juglindjes për kaq ditë ka paralizuar tregtinë, me çmime transporti të rritura me 50%, duke bërë të papërballueshme udhëtimet për familjet e varfra. Bizneset po mbyllen, me tregtarët që ankohen për rritje të kostove dhe çmimeve, ndërsa eksportet e frutave dhe perimeve kanë rënë me 46%. Ky bllokim krijon një efekt domino: fermerët humbasin të ardhura, turizmi në Pogradec dhe Korçë ngec, dhe zinxhiri i furnizimit për industrinë minerare apo agroushqimore ndërpritet, duke çuar në humbje ditore të vlerësuara në qindra mijëra euro.
Kosto oportuniteti dhe makroekonomike: Në një ekonomi si Shqipëria, ku infrastruktura kontribuon në 5-7% të PBB-së, vonesat në Korridorin 8 pengojnë integrimin evropian dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Sipas forumit ekonomik të 19 shkurtit 2026, Korridori 8 mund të shtonte 2-3% në rritjen ekonomike rajonale, por rrëshqitjet e vazhdueshme po e shndërrojnë në një gropë financiare.
Këto fonde mund të ishin investuar në arsim ose shëndetësi, por në vend të kësaj, ato “zhduken” në kontrata të dyshimta, duke thelluar pabarazinë dhe duke krijuar një precedent për dëmshpërblime ligjore nga qytetarët e prekur.
Në terma ligjorë, kjo situatë hap dyert për dhjetëra padi kolektive sipas Kodit Civil, ku qytetarët e dëmtuar mund dhe duhet të kërkojnë dëmshpërblim për humbjet ekonomike nga neglizhenca shtetërore. Por, a do të ketë drejtësi për ta?
Historia tregon se përgjegjësia administrative shpesh shpërfillet, duke lënë viktimat në mëshirën e premtimeve boshe dhe vendimeve gjyqësore që duan “shekuj” të kthehen në verdikte praktike.

Saga e falimentimit?
Korridori 8, i promovuar si porta e prosperitetit rajonal, tashmë është kthyer në një monument gjigant korrupsioni. Atë e gjen të vendosur në juglindje të Shqipërisë, përkrah një rruge që “anekson” buxhetin shtetëror për riparime të pafundme. Aty pranë kalojnë qytetarët dhe fshatarët e Shqipërisë, të cilët nuk e kuptojnë pse duhet të paguajnë çmimin e “monumentit”.
Në vend të ligjit, transparencës dhe përgjegjësisë, realiteti i Korridorit 8 ofron vetëm rrëshqitje të tokës dhe zhdukje të parave poshtë saj.
Djemtë e hutuar të ARRSh-së kanë shkuar në terren pa e ditur ku janë futur, pasi “Belinda Balluku” i futi aty, në “Aneksin e Librazhdit”.
Ata nuk e dinë nëse janë atje për të dëshmuar fillimin e një falimentimi historik ekonomik, apo janë zgjedhur pёr tё qёnё aktorёt e një episodi tjetër, tё “Sagёs sё infrastrukturës shqiptare”.
© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.





