Nga kontrasT.al
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk i shpëtoi dot tundimit të çdo kryeministri shqiptar, për të paguar djemtë e kombëtares.
Ai lajmëroi mediat se ka akorduar një shpërblim prej 500 mijë eurosh për suksesin e kombëtares kosovare në Sllovaki. Ata eliminuan ekipin sllovak 4-3 në fushën e tyre dhe kjo e bërë me një futboll të merituar.
Entuziazmi është i madh se ndeshja e radhës për të çelur derën e botërorit bëhet në Prishtinë kundër Turqisë.
Edhe kjo ndeshje u prit me një premtim financiar nga Kurti. Nëse fiton, kombëtarja do marrë 1 milion euro shpërblim nga qeveria.
Pra, nëse këtë herë Rashica, Murriqi, Berisha u shpërblyen me nga 20 000 euro për fitoren, qeveria Kurti do u japë dyfishin për suksesin në kampionatin botëror që do zhvillohet në ShBA, Meksikë dhe Kanada. 1 milion euro për një Kosovë që do e njohë gjithë bota përfundimisht që është shtet.
1 milion euro për heronjtë e kohëve moderne që nuk luftojnë me armë, por me fanella të mbushura me djersë, lot dhe dashuri. Të treja nuk paguhen por respektohen.
Kryeministri i Kosovës, ashtu si ai i Shqipërisë, nuk mund ta “blejë” suksesin e djemve që luajnë për flamurin dhe dinjitetin e të gjithë shqiptarëve. Ata nuk kanë nevojë për paratë e dy shteteve që duken si lëmoshë e hedhur krahasuar me vlerën e vërtetë të tyre.
Ata nuk kanë nevojë për ekzibicione të dashurisë së kryeministrave politikanë, që futbollin e flamurit e shohin vetëm kur ka fitore të kombëtares dhe në asnjë rast tjetër.
Kosova me djemtë e saj futbollistë do triumfojë ndaj superfuqisë turke, dhe kjo do jetë fitore e flamurit që ata fitues kanë në zemër dhe shpirt.
Do fitojë për t’i treguar botës ngjyrën e vërtetë të flamurit kombëtar, që do valëvitet në botëror, pa pasur nevojën të paguhet nga një fond kryeministror.

© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






