Ka njerëz që rriten pa atë që shumica e marrin si të mirëqenë: një familje ku të mbështetesh, një telefonatë në mesnatë që dikush është i detyruar ta hapë, një rrjet sigurie që të pret gjithmonë në fund. Dhe megjithatë, shumë prej tyre nuk dalin më të dobët – përkundrazi, shpesh dalin më të fortë, më të qëndrueshëm dhe më të sigurt në vete.
Psikologjia sugjeron se mungesa e familjes si mbështetje nuk është vetëm një boshllëk që duhet mbushur, por një terren ku ndërtohen aftësi që të tjerët nuk detyrohen kurrë t’i zhvillojnë.
Njerëzit që nuk kanë pasur familje ku të mbështeten mësojnë të besojnë te vetja në një mënyrë shumë më të thellë. Ky besim nuk vjen nga vetëbesimi i sipërfaqshëm, por nga përvoja e drejtpërdrejtë: kanë kaluar vështirësi pa ndihmë dhe kanë parë se ia kanë dalë. Kjo është ajo që psikologët e quajnë “përvojë zotërimi” – prova reale që mund t’ia dalësh, edhe kur je vetëm.
Në marrëdhënie, ata shpesh duan ndryshe. Nuk kanë nevojë që njerëzit të sillen sipas një roli të caktuar apo të plotësojnë çdo boshllëk. Ata i pranojnë njerëzit ashtu siç janë dhe krijojnë lidhje më të zgjedhura, më të lira dhe shpesh më të sinqerta se ato që lindin nga detyrimi familjar.
Pa një rrjet të gatshëm mbështetjeje, ata mësojnë të kërkojnë ndihmë aty ku të tjerët nuk e mendojnë. Një mik, një koleg, një mentor apo edhe një komunitet bëhen pjesë e një “familjeje të zgjedhur”, të ndërtuar hap pas hapi. Ky është një rrjet që nuk duket klasik, por funksionon fort.
Vendimet i marrin më shpejt dhe më qartë. Kur nuk ke kë të pyesësh apo ku të mbështetesh, mësohesh të peshosh vetë zgjedhjet dhe të veprosh. Me kalimin e kohës, kjo i bën më të vendosur dhe më pak të lëkundur.
Një tjetër forcë e madhe është aftësia për të jetuar me pasigurinë. Kur nuk ke një plan rezervë që varet nga dikush tjetër, mësohesh të përballosh të panjohurën. Kjo quhet “tolerancë ndaj paqartësisë” dhe lidhet drejtpërdrejt me rezistencën psikologjike dhe aftësinë për t’u përshtatur.
Edhe raporti me paratë është ndryshe. Pa ndihmë nga jashtë, çdo stabilitet ndërtohet nga zero. Kjo krijon një kujdes më të madh, një planifikim më të fortë dhe një vetëdije të qartë për rreziqet.
Ata janë gjithashtu të aftë të fillojnë nga e para. Një qytet i ri, njerëz të rinj, një jetë e re – për ta nuk është frikë, por diçka që e kanë bërë më parë. Dinë si të ndërtojnë lidhje dhe si të krijojnë përkatësi aty ku nuk ekziston.
Një tipar tjetër i rëndësishëm është realizmi në marrëdhënie. Ata nuk presin më shumë nga njerëzit sesa mund të japin vetё. Nuk ndërtojnë jetën mbi shpresa të rreme dhe kjo i mbron nga zhgënjimet e mëdha.
Dhe në fund, ndoshta forca më e madhe: ndihen të sigurtё jo sepse kanë dikë nga pas, por sepse kanë ndërtuar diçka brenda vetes. Ky lloj sigurie nuk varet nga rrethanat dhe nuk zhduket kur gjërat ndryshojnë.
Në një botë ku shpesh siguria lidhet me atë që kemi rreth nesh, këta njerëz dëshmojnë se ndonjëherë forca më e madhe lind pikërisht nga mungesa. Dhe ajo që ndërtohet në këtë mënyrë, është shumë më e vështirë për t’u rrëzuar.
(Burimi: Danielle Sachs, Bolde)






