Një ngjarje e pazakontë tronditi autoritetet lituaneze mbrëmjen e së shtunës, kur deri në 25 balona të vogla me ajër të nxehtë, disa prej tyre të ngarkuara me cigare kontrabandë, hynë në hapësirën ajrore të vendit, duke detyruar mbylljen e Aeroportit Ndërkombëtar të Vilniusit për disa orë.
Sipas Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave, balonat penguan 30 fluturime dhe ndikuan tek rreth 6,000 pasagjerë, ndërsa trafiku ajror u rikthye në normalitet rreth orës 04:50 të mëngjesit të së dielës. Incidenti ndodhi në një kohë kur Europa ndodhet në alarm të lartë pas një sërë shkeljesh të paprecedenta të hapësirës ajrore të NATO-s muajin e kaluar.
Disa zyrtarë evropianë i kanë cilësuar këto episode si “testim të reagimit të aleancës” nga Moska, duke ngritur pikёpyetje mbi nivelin e përgatitjes së NATO-s kundër kërcënimeve të mundshme ruse. Zëdhënësi i policisë kufitare, Darius Buta, konfirmoi se dy nga balonat fluturuan mbi Aeroportin e Vilniusit, ndërsa pjesa tjetër u shpërnda në zona të ndryshme të qarkut Vilnius.
Gjatë operacioneve, policia kufitare kapi 11 balona dhe rreth 18,000 paketa cigare kontrabandë, të cilat ishin nisur nga territori bjellorus. “Balonat me mallra kontrabandë dhe dronët janë aktivitete kriminale, jo provokime apo akte sabotimi,” deklaroi Buta për agjencinë Associated Press.
Kryeqyteti Vilnius, qё ndodhet vetëm 40 kilometra nga kufiri me Bjellorusinë, po përballet me një taktikë të re të kontrabandës nga rrjetet bjelloruse, të cilat po përdorin balona të vogla ajri për transportin e cigareve drejt Bashkimit Europian, një metodë shumë më e lirë se përdorimi i dronëve. Ngjarje të ngjashme janë raportuar edhe gjatë muajit gusht, megjithëse me një numër më të vogël balonash. Vetëm vitin e kaluar, autoritetet lituaneze kanë ndaluar 966 balona që hynin nga Bjellorusia, ndërsa këtë vit janë regjistruar 544 raste.
Pas rënies së një droni të prodhimit rus “Gerbera” në qarkun Vilnius dhe një tjetri me pajisje shpërthyese në një bazë ushtarake, parlamenti lituanez votoi në korrik që forcat e armatosura të kenë të drejtë të rrëzojnë çdo dron që shkel hapësirën ajrore të vendit. Megjithëse balonat përbëjnë kryesisht rrezik ekonomik përmes kontrabandës, incidenti i fundit ka rritur ndjeshëm tensionet rajonale dhe ka vënë sërish në qendër të vëmendjes marrёdhёniet e ndjeshme midis Lituanisë dhe Bjellorusisë.






