Më 16 dhjetor 2025, SPAK depozitoi kërkesën në Kuvend për arrestimin e zёvendёskryeministres të pandehur Belinda Balluku. Më 16 mars 2026, kur mbushen 3 muaj të plotë, nëse Kuvendi nuk i përgjigjet kërkesës së SPAK, atëherë kërkesa e SPAK konsiderohet e rrëzuar. Pra, rrëzohet edhe SPAK bashkë me kërkesën.
Pse? Sepse tek neni 118, pika 5 e Rregullores së Kuvendit, përcaktohet afati që ka një kërkesë për heqje imuniteti ndaj një deputeti. Ai është 3 muaj. Pra, nëse Kuvendi nuk merr vendim brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës së SPAK për autorizimin e arrestimit të një deputeti, kërkesa konsiderohet automatikisht e rrëzuar, sikur s’ka ekzistuar kurrë.
Dhe Kuvendi nuk ka gjasa të marrë ndonjë vendim deri më 16 mars, kur mbeten edhe 45-46 ditë.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili është njëkohësisht edhe kryetar që udhëheq Komisionin “Balluku” për mandatin e saj, sot publikoi një shkresë ku duket qartë tendenca për të mos ndërmarrë asnjë veprim real për ta shqyrtuar kërkesën e SPAK, pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese.
Pritja për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për dhënien ose jo të autorizimit për arrestimin e “deputetes” Balluku, është shtyrë pa afat, përmes një arsyetimi të paqartë duke mos lënë asnjë shenjë nëse do pritet deri më 16 mars apo do mblidhet para kësaj date.
Juridikisht Gjykata Kushtetuese nuk e pengon aspak Kuvendin që të ushtrojë kompetencën e tij kushtetuese e të shqyrtojë kërkesën e SPAK. Të dy institucionet janë të pavarura nga njëri-tjetri ashtu si edhe vendimmarrja e tyre.
Socialistët po e çojnë me vetëdije drejt djegies kërkesën e SPAK, ndërsa demokratët nuk po e “kuptojnë” dhe nuk po e shohin “kronometrin parlamentar”.
Refuzimi për të shqyrtuar kërkesën e SPAK është aq flagrant sa Niko Peleshi nuk ka ditur se si ta justifikojë mosmbledhjen e Komisionit të Mandateve edhe pse është ezauruar gjysma e kohës së punës së tij.
Në shkresë Niko Peleshi është porositur të shkruajë se mbledhja e radhës “do të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të garantuar një proces vendimmarrjeje të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese”.
Kjo fjali ka ndalur kohën duke e lënë njëkohësisht të ecë në drejtim të “lirisë” së Belinda Ballukut.
Një Ping Pong procedural-politik ku Gjykata Kushtetuese pret Kuvendin dhe Kuvendi pret Gjykatën Kushtetuese, duke lënë në pritje SPAK-un nga njëra anë dhe Qeverinë Rama me Belinda Ballukun në anën tjetër.
Çfarë do ndodhë deri më 16 mars? A do vendosë apo do “zhvendosë” Gjykata Kushtetuese?
Po Kuvendi do mblidhet t’i thotë “Jo” SPAK-ut për Ballukun apo do bëjë një manovër me kronometër në dorë që kur të shkojë data 17, të thotë “Paska mbaruar afati dje në datë 16”?









