Ngërçi politik në Kosovë ka lënë pa funksionim mbi dhjetë institucione të pavarura, bordet e të cilave zgjidhen ose kompletohen nga Kuvendi. Si pasojë, shumë prej tyre janë aktualisht pa vendimmarrje, duke ndikuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e interesit publik dhe të drejtave të qytetarëve.
Nga 34 institucione dhe agjenci të pavarura që monitorohen nga Kuvendi, më shumë se dhjetë janë pa borde funksionale ose pa drejtues me mandat të plotë. Bllokada politike në legjislativ ka bërë që proceset e emërimit dhe kompletimit të bordeve të mbeten pezull, duke lënë institucionet pa kuorum për të marrë vendime.
Në kohën kur qytetarët përballen me rritje të çmimeve, një nga institucionet më të prekura është Autoriteti i Konkurrencës. Bordi i tij ka mbetur pa kuorum të mjaftueshëm, çka e ka lënë praktikisht të paralizuar në ndëshkimin e abuzimeve me çmime dhe trajtimin e ankesave.
Pa mundësi për të ushtruar kompetencat e plota janë edhe Komisioni i Pavarur për Media, Bordi për Ankesa i Mediave, Komisioni për Miniera dhe Minerale, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Radio Televizioni i Kosovës dhe Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave. Po ashtu, pa mandat të plotë është edhe Avokati i Popullit.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerësojnë se plotёsimi i këtyre bordeve duhet të jetë prioritet i Kuvendit pas konstituimit.
Ndërkohë, Kuvendi nuk ka dhënë shifra zyrtare për numrin e saktë të institucioneve pa borde funksionale dhe as nuk ka konfirmuar nëse ka në pritje kandidatura për emërim.
Disa institucione funksionojnë me përbërje të pjesshme. Një shembull është Gjykata Kushtetuese, e cila aktualisht ka dy vende vakante. Skadimi i mandatit ose dorëheqja e vetëm njërit prej gjyqtarëve aktualë do ta linte këtë institucion pa funksion.
Për emërimin e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike, përgjegjëse është edhe Qeveria, çka e bën funksionimin e plotё tё tyre një proces që kërkon bashkëpunim institucional të menjëhershëm.
(Burimi: Koha.net)






