Fondacioni i Sarah Fergusonit ka njoftuar se do të mbyllë aktivitetin, vetëm pak ditë pasi u publikuan dokumente të reja që hedhin dritë mbi miqësinë e ish-Dukeshës së Jorkut me Jeffrey Epstein. Vendimi për mbylljen e “Sarah’s Trust” vjen pas muajsh diskutimesh, sipas një zëdhënësi, i cili theksoi se kryetarja dhe bordi i administratorëve e morën këtë hap “me keqardhje”, ndërsa shprehën krenarinë për punën e bërë ndër vite.
Fondacioni kishte bashkëpunuar me më shumë se 60 organizata në mbi 20 vende, duke ofruar arsim, ndihmë shëndetësore, reagim ndaj krizave dhe projekte mjedisore. Gjatë pandemisë Covid shpërndau mbi 150 mijë pako ndihme, mbështeti të prekurit nga lufta në Ukrainë dhe siguroi arsim për më shumë se 200 fëmijë në Ganë.
Megjithatë, vendimi për mbyllje vjen në një moment tejet të ndjeshëm. E-mailet e publikuara së fundmi sugjerojnë se Ferguson kishte marrë me vete vajzat e saj, princeshat Beatrice dhe Eugenie, për të takuar Epsteinin në korrik 2009, më pak se një javë pasi ai ishte liruar nga burgu në Florida. Në një mesazh drejtuar financierit, ajo shkruante: “Në cilën adresë do të vijmë? Do të jem unë, Beatrice dhe Eugenie. Do të hamë drekë?” Takimi thuhet se u zhvillua në rezidencën e Epstein në Palm Beach.
Dokumentet janë pjesë e mbi tre milionë materialeve të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë. Në një tjetër korrespondencë të vitit 2011, Epstein ankohej se Ferguson nuk e kishte mbrojtur publikisht pas dënimit të tij. Ndërsa në një email të vitit 2010, ish-dukesha i kishte shkruar atij “Thjesht martohu me mua”, duke e quajtur gjithashtu “legjendë” dhe “vëllai që kam dëshiruar gjithmonë”.
Pasojat për reputacionin e saj kanë qenë të shumta. Që në shtatorin e kaluar, disa organizata britanike, përfshirë Teenage Cancer Trust dhe British Heart Foundation, ndërprenë bashkëpunimin me të. Ajo dha dorëheqjen edhe nga një organizatë amerikane që ndihmon të rinjtë.
Familja e Virginia Giuffre, një nga viktimat e dyshuara të trafikimit seksual, u bëri thirrje organizatave amerikane të ndiqnin shembullin e britanikëve dhe të prisnin lidhjet me dukeshën. Vetë Ferguson e ka përshkruar më herët përfshirjen me Epsteinin si një “gabim gjigant gjykimi”.
Raportohet se ajo ndodhet në një gjendje “të brishtë”, duke u thënë miqve se problemet e fundit nuk kanë qenë të mira për shëndetin e saj mendor. Ndërkohë, marrëdhëniet me familjen mbretërore mbeten të tensionuara: ajo dhe ish-bashkëshorti i saj, Andrew Mountbatten-Windsor, thuhet se janë mbajtur larg nga anëtarë të lartë si Mbreti Charles dhe Princi William.
Zbulimet kanë tronditur edhe princeshat Beatrice dhe Eugenie. Burime pranë tyre thonë se motrat janë “të tmerruara” dhe “të turpëruara” nga komunikimet e nënës me Epsteinin pas dënimit të tij për krime seksuale ndaj të miturve.
Ferguson dhe Andrew kishin ruajtur miqësi me Epsteinin për më shumë se një dekadë.






