Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dalë me një njoftim të përditësuar lidhur me situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme, në kushtet e përshkallëzimit të konfliktit ushtarak në rajon. Në reagimin zyrtar, institucioni thekson se situata mbetet e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme, duke këshilluar fuqimisht shtetasit shqiptarë të shmangin çdo udhëtim drejt vendeve të prekura deri në një njoftim të dytë.
Për shqiptarët që ndodhen aktualisht në rajon, Ministria rekomandon vigjilencë maksimale dhe shqyrtimin me përparësi të mundësisë së largimit përmes linjave ajrore, për aq kohë sa ato mbeten funksionale. Po ashtu, qytetarëve u kërkohet të ndjekin burime të besueshme informacioni, të respektojnë udhëzimet e autoriteteve lokale, të mbajnë dokumentet e udhëtimit dhe mjetet e komunikimit të gatshme, si dhe të kontaktojnë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore shqiptare në rajon në rast nevoje.
Në njoftim paralajmërohet gjithashtu se përkeqësimi i situatës mund të çojë në mbyllje të hapësirës ajrore në një perimetër më të gjerë, me anulime fluturimesh pa paralajmërim. Për këtë arsye, qytetarët këshillohen të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me kompanitë ajrore.
Megjithatë, njoftimi mbetet në kuadrin e një apeli të përgjithshëm dhe nuk ofron detaje konkrete mbi mënyrën e asistencës. Nuk publikohen numra emergjence, adresa emaili apo kontakte specifike të ambasadave dhe konsullatave shqiptare në zonë, të cilat në një situatë krize do të ishin thelbësore për qytetarët që kërkojnë ndihmë të menjëhershme.
Po ashtu, nuk bëhet e qartë nëse ekziston një plan evakuimi i koordinuar, nëse është ngritur një linjë e posaçme komunikimi 24-orëshe apo nëse shtetasit shqiptarë janë ftuar të regjistrohen pranë autoriteteve për t’u lokalizuar në rast emergjence. Një reagim më i detajuar do të pritej të përfshinte pikërisht këto elemente: udhëzime të personalizuara sipas vendeve, kontakte konkrete dhe informacion mbi masat praktike që shteti është i gatshëm të ndërmarrë.
Në një moment kur qytetarët kanë nevojë për qartësi, orientim dhe mbështetje konkrete, një njoftim formal nuk mjafton — sepse në kohë krize, përgjegjësia e shtetit matet me veprime dhe jo vetëm me këshilla.
Njoftimi i plotё nё faqen zyrtare tё Ministrisё për Evropën dhe Punët e Jashtme
Njoftim i përditësuar mbi situatën në Lindjen e Mesme
3 Mars 2026
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se, në vijim të përshkallëzimit ushtarak në rajonin e Lindjes së Mesme, situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme.
Ministria këshillon fuqimisht shtetasit shqiptarë të shmangin çdo udhëtim drejt vendeve të rajonit deri në një njoftim të dytë.
Ndërkohë, shtetasit e Republikës së Shqipërisë, të cilët gjenden aktualisht në rajon këshillohen:
- Të tregojnë vigjilencë maksimale dhe të shqyrtojnë me përparësi mundësinë e largimit përmes linjave ajrore, për aq kohë sa ato vijojnë të jenë funksionale.
- Të ndjekin zhvillimet përmes burimeve mediatike të besueshme dhe kanaleve zyrtare të informacionit;
- Të respektojnë dhe ndjekin në çdo kohë udhëzimet e autoriteteve lokale;
- Të mbajnë dokumentet e udhëtimit dhe mjetet e komunikimit gjithmonë të gatshme;
- Në rast nevoje, të kontaktojnë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në rajon dhe të veprojnë në përputhje me udhëzimet e tyre.
Në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës së sigurisë, mbyllja e hapësirës ajrore në një perimetër më të gjerë sesa vendet e prekura deri tani mbetet një mundësi reale, dhe fluturimet mund të anulohen pa paralajmërim. Për çdo çështje që lidhet me fluturimet, qytetarët këshillohen të kontaktojnë drejtpërdrejt kompanitë ajrore përkatëse.
Autoritetet shqiptare janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe do të informojnë në kohë reale për çdo zhvillim të ri.






