Një hetim i CNN ka zbuluar detaje tronditëse për lidhjen misterioze mes një vajze të zhdukur dhe këngëtarit të ri të famshëm d4vd, pasi trupi i saj u gjet i pajetë në bagazhin e makinës së tij në Los Angeles.
Në verën e vitit 2024, artisti që fansat e njohin si d4vd, emri i vërtetë i të cilit është David Anthony Burke, shkroi në rrjetet sociale se po kalonte një periudhë bllokimi krijues në muzikë. “Jam në krizë për një këngë tani,” u ankua ai në platformën Discord. Brenda pak minutash, një përdorues anonim iu përgjigj me një mesazh të çuditshëm: “Publiko këngën për vajzën e zhdukur Celeste Rivas Hernandez.”
Mesazhi mbeti pa përgjigje nga këngëtari. Por më vonë ai u bë një nga detajet më të errëta në një hetim penal, ku prokurorët e kanë konsideruar Burke si “objektiv” të hetimit.
Rreth një vit pas këtij mesazhi, në shtator 2025, trupi i dekompozuar dhe i copëtuar i 14-vjeçares Celeste Rivas Hernandez u gjet në bagazhin e një makine Tesla që i përkiste Burkes. Makina ishte braktisur pranë vilës luksoze me qira ku këngëtari jetonte në Hollywood Hills, në Los Angeles. Automjeti u dërgua në një parkim për makina të sekuestruara, ku një punonjës lajmëroi policinë pasi ndjeu një erë të fortë që vinte nga bagazhi.

Pas zbulimit makabër, Burke anuloi menjëherë turneun botëror që kishte nisur dhe që prej asaj kohe nuk ka bërë asnjë deklaratë publike. Autoritetet gjithashtu kanë folur shumë pak për hetimin. Një gjykatës urdhëroi që rezultatet e autopsisë së vajzës të mbahen sekrete, me kërkesë të njësisë elitë të vrasjeve të policisë së Los Angelesit që po heton rastin.
Ngjarja ka shpërthyer në internet. Në vitin 2025, Burke u bë personi më i kërkuar në Google në botë, ndërsa mijëra përdorues në rrjete sociale analizojnë tekstet e këngëve, intervistat dhe postimet e tij për të gjetur pista të mundshme.
Hetimi i CNN, bazuar në mijëra postime në rrjete sociale dhe më shumë se një duzinë intervistash, zbuloi se Celeste Rivas ishte parë disa herë pranë Burkes, para dhe pas zhdukjes së saj të parë në shkurt 2024.
Ajo ishte vetëm 13 vjeç kur u shfaq pranë këngëtarit në një video live në Twitch, e filmuar në orët e para të mëngjesit brenda një shtëpie në West Hollywood të lidhur me artistin. Në video ata bëjnë shaka dhe bisedojnë deri rreth orës 3 të mëngjesit, përpara se Burke të thotë duke qeshur: “Fshini gjithçka.”
Disa muaj më vonë, vajza u fotografua prapa skenës në një nga koncertet e tij në Los Angeles, ndërsa fotografi të tjera të saj u gjetën në kartën e memories së një aparati fotografik të lënë në shtëpinë e Burke pasi lajmi për vdekjen e saj u bë publik.
CNN gjithashtu përdori të dhëna gjeolokacioni për të verifikuar praninë e pashpjeguar të Burke pranë shtëpisë së familjes së vajzës, më shumë se një orë larg nga vendi ku ai jetonte në Hollywood, rreth kohës kur ajo u raportua e zhdukur.
Avokatja e këngëtarit, Blair Berk, refuzoi të komentojë mbi ҫёshtjen për shkak të hetimit të vazhdueshëm.

Celeste Rivas jetonte në Lake Elsinore, një qytet kryesisht me punëtorё rreth 90 minuta larg Los Angelesit. Banorët e zonës e kujtojnë si një vajzë të sjellshme që shpesh shkonte në dyqan pas shkollës me shoqet e saj. Në fillim të vitit 2024 ajo u raportua e zhdukur dhe posterat me fytyrën e saj u vendosën në të gjithë qytetin.
Në janar të atij viti, një person i shqetësuar për sigurinë e saj dërgoi një email në një adresë të lidhur me këngëtarin, duke përmendur zhdukjen e vajzës dhe duke sugjeruar se Burke mund të kishte lidhje me të. “Nëse ka ndonjë të vërtetë në këtë, bëni gjënë e duhur dhe kthejeni në shtëpi. Prindërit e saj janë shumë të shqetësuar,” shkruhej në email.
Brenda pak ditësh vajza u kthye në shtëpi, sipas një të njohuri të familjes. Por ajo u zhduk përsëri më vonë gjatë vitit.
Fotografi të publikuara në TikTok nga një adoleshent lokal tregojnë Burke duke dalë nga një Tesla e zezë pranë shtëpisë së vajzës mes janarit dhe marsit 2024. CNN verifikoi vendndodhjen dhe kohën e fotove.
Në qershor 2024, ajo u fotografua prapa skenës në një koncert të tij të mbushur plot në Fonda Theater në Los Angeles. Dy muaj më vonë, në Discord u shfaq mesazhi që e përmendte si “vajzën e zhdukur”.
Një tjetër element që lidh Burke me Celeste u zbulua në shtëpinë e tij pas gjetjes së trupit. Një hetues privat që punonte për pronarin e vilës gjeti një aparat fotografik me foto të vajzës dhe të këngëtarit të realizuara në dhjetor 2024 dhe janar 2025.
Vëllai i vajzës deklaroi për një televizion lokal se familja e dinte që ajo njihte Burke dhe se ishte nisur për të parë një film me të kur u zhduk. Familja më pas ndaloi së foluri publikisht për rastin.
Interesi për këtë çështje është shtuar edhe për shkak të imazhit artistik të këngëtarit. Burke ka folur në intervista për një alter ego të errët që e quan IT4MI, frymëzuar nga një fjalë japoneze që do të thotë “dhimbje”. Ai ka përshkruar këtë figurë si një version të lig të vetes që kryen krime që më pas ai i “zgjidh” si detektiv në imagjinatë.
Kënga që e bëri të famshëm në vitin 2022 quhet “Romantic Homicide” dhe përmban vargje si: “Në mendjen time të vrava dhe nuk u pendova fare.” Videoklipet e tij përfshijnë shpesh imazhe të dhunshme dhe skena me trupa të pajetë.
Megjithatë autoritetet nuk kanë lidhur publikisht këto elemente artistike me hetimin real.
Dokumente gjyqësore të publikuara së fundmi zbuluan një detaj tjetër tronditës: kur u gjet në bagazhin e makinës, trupi i Celeste Rivas ishte jo vetëm i dekompozuar, por edhe i copëtuar dhe i vendosur në dy çanta.
Në të njëjtat dokumente, prokurorët e përshkruajnë Burke si “objektiv të hetimit” në çështjen e titulluar “Shteti i Kalifornisë kundër David Burke”. Ata nuk kanë sqaruar ende se çfarë roli dyshohet se mund të ketë pasur këngëtari në vdekjen e vajzës, por kanë deklaruar se ai mund të jetë i përfshirë në vdekjen e 14-vjeçares Celeste Rivas Hernandez.
Hetimet vazhdojnë.
(Burimi: CNN)






