Chanel i dha një shkëlqim të ri metropolit të Nju Jorkut duke e shndërruar një stacion të braktisur të metrosë në një pistë mode.
Ngjarja u mbajt në stacionin e vjetër Bowery, i cili përdoret shpesh për xhirime, dhe me disa prekje estetike u kthye në një skenë të papritur “glamour”. Gjatë më shumë se një ore nën tokë, publiku u zhvendos nga realiteti i metrosë së Nju Jorkut në botën elegante të Chanel.
Stewart, ambasadore e markës për më shumë se një dekadë, e vuri theksin te natyraliteti që sillte koleksioni: kombinime të jo konvencionale veshjesh, pallto të hedhura mbi krahë, gazeta të futura në çanta dhe një sasi e vogël kaosi të përditshëm që vetëm një qytet i madh mund ta frymëzojë. “Të mund të dukesh kaq bukur edhe kur je rrëmujë – kjo është aspiratë,” tha ajo.
Sfilatёn e vuosi Matthieu Blazy, drejtori i ri artistik i Chanel, i cili që prej debutimit të tij në Paris ka marrë duartrokitje nga moda dhe yjet e showbiz-it. Edhe pse dita ishte me shi dhe stacioni i ftohtë, atmosfera mes të ftuarve ishte e gjallë dhe e entuziazmuar. Disa, të veshur kokë e këmbë Chanel, u dukën në siklet përballë pamjes së metrosë – diҫka me tё cilёn nuk përballen shpesh ata qё udhёtojnё me shofer privat.
Koleksioni i Metiers d’Art, tradicionalisht i prezantuar në dhjetor për të nderuar punishtet artizanale të Chanel, këtë vit mori frymëzimin e tij nga ritmi i Nju Jorkut. Modelet dolën nga një vagon metroje me kapele të veçanta, kostume të lehta mbi T-shirt-e dhe fustane prej materiali që lëviznin me hijeshi. Sfilata interpretoi pamjen e një njujorkezeje që pret trenin për një natë të madhe, duke ruajtur elegancën edhe mes lodhjes së përditshme.
Veshjet e Blazy-t bashkonin humorin dhe finesën: nga kapele të vogla lozonjare deri tek çanta klasike Chanel të zbukuruara me detaje të papritura, si këmbët e një gjirafe. Teksturat, dritat dhe mënyra si lëviznin pëlhurat tё rikujtojnё epokën e veshjeve të Coco Chanel dhe Jean Patou, ku lëvizja e trupit dhe shkëlqimi i dritës ishin pjesë e bukurisë.


Në një botë ku moda e shpejtë dominon dhe shumë gra blejnë te Zara apo Shein, është e vështirë që pasarelat të ndikojnë drejtpërdrejt në veshjet e përditshme. Por Blazy duket se synon diçka më të thellë: t’u rikthejë grave idenë se moda nuk është luks i paarritshëm, por një mënyrë për të ndier veten më të fortë, më të bukur dhe më të pranishme në jetën e tyre.
Këtë mesazh e përforcoi edhe lojtarja e WNBA, Angel Reese, e cila ishte për herë të parë në metronë e Nju Jorkut. Ajo tha se mënyra si vishet para ndeshjes ka ndikim të drejtpërdrejtë te loja e saj: “Nëse dukem mirë, ndihem mirë,” tha ajo. “Moda dhe performanca shkojnë bashkë. Mund t’i bësh të dyja.”
Chanel e çoi modën në nëntokën e Nju Jorkut – dhe e ktheu në një skenë ku realiteti dhe fantazia mund të jetojnë në të njëjtin vagon.


(Pёrshtatur nga CNN)






