Një përplasje e fortë ka shpërthyer mes miliarderit të teknologjisë Elon Musk dhe kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, pasi qeveria e Madridit po përgatit masa të reja për të ndaluar përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën 16 vjeç.
Sánchez deklaroi se ndërhyrja është e domosdoshme për të mbrojtur të miturit nga ajo që e quajti “perëndimi i egër dixhital”, duke theksuar se kompanitë e teknologjisë duhet të mbajnë përgjegjësi për përmbajtjen e dëmshme dhe gjuhën e urrejtjes. Ai e përshkroi hapësirën e rrjeteve sociale si një “shtet të dështuar ku ligjet injorohen dhe krimet tolerohen”.
Por reagimi i Musk ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. Në platformën X ai shkroi: “Sánchez i ndyrё është një tiran dhe tradhtar i popullit të Spanjës”, ndërsa më pas e përshkallëzoi sulmin duke e quajtur kryeministrin “totalitari i vërtetë fashist”.
Sánchez, nga ana tjetër, e akuzoi Muskun se po përdor rrjetin e tij social për të “amplifikuar dezinformimin”, duke përmendur debatet e fundit mbi legalizimin e rreth 500 mijë emigrantëve pa dokumente dhe azilkërkuesve në Spanjë.
Ndalimi i propozuar pritet të jetë pjesë e një projektligji për mbrojtjen dixhitale të të miturve dhe synon t’u japë prindërve më shumë mbështetje për të vendosur kufizime. Masa vjen në një kohë kur qeveritë në mbarë botën po rishikojnë ndikimin e kohës para ekranit në mbrojtje tё shëndetit mendor dhe zhvillimit tё fëmijëve.
Spanja duket se do t’i bashkohet një vale më të gjerë rregullimesh. Franca dhe Britania po shqyrtojnë kufizime të ngjashme, ndërsa Australia u bë vendi i parë që ndaloi aksesin në rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç. Edhe Greqia pritet të propozojë një ndalim për moshat nën 15 vjeç.
Debati është nxitur edhe nga shqetësimet për përmbajtjet e krijuara nga inteligjenca artificiale, përfshirë raportimet mbi imazhe të papërshtatshme të gjeneruara nga chatbot-i Grok, si dhe nga rritja e presionit publik për sigurinë online të të miturve.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se nuk ka ende një konsensus të plotë shkencor mbi ndikimin e rrjeteve sociale tek adoleshentët. Një sondazh i Ipsos tregoi se rreth 82% e spanjollëve mbështesin ndalimin e mediave sociale për fëmijët nën 14 vjeç — një shifër që tregon rritjen e shqetësimit publik.
Përplasja mes Musk dhe Sánchez pasqyron një debat global gjithnjë e më të nxehtë: deri ku duhet të shkojë shteti për të rregulluar hapësirën dixhitale dhe për të mbrojtur brezin e ri?
(Burimi: El Pais / The Guardian)






