Spanja po përgatitet të amnistojё rreth 500 mijë emigrantë pa dokumente, në një hap që bie në kundërshtim me kursin e ashpër të deportimeve që po ndjekin shumë vende të tjera europiane dhe SHBA. Qeveria socialiste e Pedro Sánchez argumenton se legalizimi i punëtorëve informalë nuk është vetëm çështje humanitare, por domosdoshmëri ekonomike.
Sipas planit, emigrantët me precedentë të pastër penalë që kanë hyrë në Spanjë para fundit të vitit 2025 dhe mund të provojnë se kanë jetuar në vend për të paktën pesë muaj, do të përfitojnë leje qëndrimi njëvjeçare të rinovueshme. Shumica e tyre punojnë tashmë në ndërtim, bujqësi, shërbime apo kujdes familjar – por pa kontrata dhe pa sigurime.
Qeveria synon t’i nxjerrë këta punëtorë nga “ekonomia e zezë”, të rrisë kontributet në sigurimet shoqërore dhe të mbështesë një sistem që po vihet nën presion nga plakja e popullsisë dhe rënia e lindshmërisë. Vetëm në fund të vitit 2025, mbi dy të tretat e vendeve të reja të punës në Spanjë u zunë nga persona të lindur jashtë vendit.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta politike. E djathta ekstreme e ka cilësuar amnistinë si “ftesë për emigracion masiv”, ndërsa qeveria këmbëngul se zgjedhja është e qartë: një Spanjë e hapur dhe funksionale, ose një ekonomi që mbyllet dhe dobësohet.






