Burime të ndryshme bëjnë me dije se Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka ndërmarrë sot kontrolle në disa ambiente në kryeqytet, përfshirë zyrat e kompleksit ETC dhe banesën e biznesmenit Artan Dulaku.
Operacioni është zhvilluar në bazë të urdhrit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), dhe mendohet se vjen në vijim të hetimeve të nisura disa vite më parë për procedurat e dhënies me koncesion të portit të Limionit. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, asnjë institucion nuk ka dhënë njoftim zyrtar për kontrollet apo arsyet konkrete të tyre.
Burime nga organet e hetimit bëjnë me dije se veprimet janë pjesë e verifikimeve të zgjeruara që po kryhen për çështjen e Limionit, projekt që përfshin investime të mëdha private në një zonë që më parë ishte bazë detare ushtarake.
Në muajt e fundit, SPAK ka intensifikuar veprimet në këtë dosje, ndërsa mësohet se janë sekuestruar materiale të reja provuese dhe janë marrë dëshmi shtesë nga persona të lidhur me procesin e koncesionit. Nuk dihet ende nëse kontrolli i sotëm sinjalizon një fazë të re të hetimit apo lidhet me mbledhjen e dokumenteve plotësuese.
Deri tani, nuk ka persona të ndaluar apo masa sigurie të reja, ndërsa hetimet për portin e Limionit vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.






