Aktori i famshëm hollywoodian Keanu Reeves ka rimarrë gjashtë orë luksoze me vlerë rreth 125 mijë dollarë (afërsisht 108 mijë euro), të vjedhura nga banesa e tij në Los Angeles në vitin 2023. Pas rikthimit të sendeve personale, aktori shprehu mirënjohjen e tij ndaj autoriteteve, duke dërguar një letër falënderimi për FBI-në dhe policinë kiliane, të cilat bashkëpunuan në një operacion ndërkufitar që çoi në zbulimin dhe sekuestrimin e tyre.
Sipas një njoftimi për shtyp të FBI-së, publikuar të martën më 18 nëntor, orët e Reeves së bashku me disa objekte të tjera të vjedhura gjatë “bastisjeve të shumëfishta” në Kaliforni – iu dorëzuan autoriteteve amerikane në korrikun e kaluar nga policia kiliane, pas një operacioni të koordinuar ndërmjet dy vendeve. Hetuesit zbuluan prova kyçe në një telefon celular të sekuestruar, ku ishte një foto e bërë në SHBA që shfaqte ndërtimet e përdorura në xhirimet e filmit John Wick, një armë zjarri dhe patentën e aktorit, të gjitha të dyshuara si të vjedhura gjatë grabitjes.
Autoritetet besojnë se pas sulmeve qëndron “Grupi i Hajdutëve të Amerikës së Jugut” (SATG), një bandë kriminale aktive kohët e fundit në Kaliforninë Jugore. Gazeta California raporton se grupi dyshohet merrte makina luksoze me qera pёr tё hyrё tё pashqetёsuar në lagjet e tё pasurve dhe pёr tё identifikuar objektivat e vjedhjeve.
Ndër objektet më të rëndësishme të rikuperuara ishte një Rolex Submariner i personalizuar, me vlerë të paktën 9.500 dollarë, i gdhendur me emrin e Reeves dhe mbishkrimin: “2021, JW4, thank you, The John Wick Five”, një referencë për sagën e famshme filmike ku ai luan rolin kryesor.
Ora u zbulua gjatë një kontrolli policor në një banesë në lagjen Peñalolén, në pjesën lindore të Santiagos, Kili. Gjatë operacionit u arrestua 21-vjeçari Jassir Barra Lastra, i dyshuar për disa grabitje të kryera në SHBA, i cili deklaroi se ora i ishte dërguar nga vëllai i tij.
Në fund të gushtit 2025, Reeves u takua në Nju Jork me agjentë të FBI-së dhe një oficer të policisë kiliane të PDI-së për të rimarrë sendet qё ia kishin vjedhur, pasi i identifikoi përmes fotografive. Kjo nuk është hera e parë që aktori përballet me grabitje: në vitin 2014, shtëpia e tij u sulmua dy herë brenda vetëm tre ditësh, sipas Policisë së Los Angelesit.
(Burimi: El País)






