Në një pranim që vjen me vonesë, por që konfirmon një realitet të njohur prej vitesh për pacientët, ministrja e Shёndetёsisё ka pranuar se në QSUT dhe në disa spitale të tjera publike, shërbimi i analizave thuajse ndalet në dhjetëditëshin e fundit të çdo muaji.
Pas datës 20, shumë qytetarë tё shtruar nё spitale përballen me mungesë shërbimi tё plotё, pasi analizat kryhen vetëm për rastet urgjente. Arsyeja nuk lidhet me mungesë aparaturash apo mjekësh, por me një kufi financiar: sapo arrihet tavani mujor i kontratës, shërbimi reduktohet.
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, e ka pranuar publikisht këtë problem, duke premtuar se situata do të zgjidhet brenda këtij viti përmes përmirësimit të planifikimit dhe “mbledhjes së të dhënave”. Pёr kёtё fakt vetё ministrja e re nuk ka faj, dhe mirё bёn qё mbledh tё dhёna, qё tё kuptojё ku ka ardhur dhe ҫfarё funksioni kryen e ҫfarё misioni ka. Por paralelisht me mbledhjen e tё dhёnave pёr diaagnostikim, siҫ thotё ajo, duhet tё gjejё edhe pёrgjegjёsit e kёsaj situate. Nëse problemi është i njohur prej kohësh, pse është lejuar të vazhdojë për kaq kohё?
Kjo situatё absurde ёshtё krijuar nga një kontratë shërbimi ku pagesa lidhet me një tavan mujor. Kur ky tavan arrihet, sistemi praktikisht “ndalon”, duke lënë pacientët të presin fillimin e muajit tjetër ose t’i drejtohen laboratorëve privatë me kosto shtesë nga xhepi i tyre.
Kjo krijon një situatë paradoksale: në një sistem shëndetësor publik, ku qytetarët paguajnë sigurime dhe taksa, shërbimi nuk mungon për arsye mjekësore, por për shkak të kufizimeve kontraktuale.
Problemi nuk është vetëm teknik, por edhe politik dhe administrativ. Sepse këto kontrata janë negociuar dhe miratuar nga institucionet publike, të cilat kanë përcaktuar kushtet që sot prodhojnë këtë realitet.
Pyetja që shtrohet është e drejtpërdrejtë: kush mban përgjegjësi për lidhjen e një marrëveshje që parashikon ndërprerje de facto të shërbimit për një pjesë të muajit?
Ndërkohë, për pacientët, kjo nuk është një çështje kontratash apo planifikimi. Është një problem konkret që përkthehet në analiza të shtyra, diagnoza të vonuara dhe ankth për shëndetin.
Premtimi për zgjidhje brenda vitit mbetet për t’u parë. Por deri atëherë, çdo muaj vazhdon të ketë të njëjtin ritëm: njёzet ditë shërbim dhe një dhjetëditësh pritje. Dhe për një sistem shëndetësor, kjo nuk është thjesht një mangësi – është një dështim që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.






