Taxhikistani është bërë vendi i katërt që nis zyrtarisht procedurat e tërheqjes nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN), që prej fillimit të ofensivës diplomatike të Shteteve të Bashkuara, që synon atë që Uashingtoni e ka cilësuar si “çmontimin e gjykatës”. Largimi i një tjetër shteti ngre pikëpyetje mbi të ardhmen e institucionit më të rëndësishëm të drejtësisë penale ndërkombëtare dhe aftësinë e tij për të garantuar përgjegjshmërinë për krimet më të rënda ndërkombëtare.
Presidenca e Asamblesë së Shteteve Palë të Gjykatës Penale Ndërkombëtare konfirmoi të hënën, më 23 nëntor, se Taxhikistani ka ndërmarrë hapat formalë për t’u tërhequr nga Statuti i Romës, traktati ndërkombëtar mbi bazën e të cilit funksionon gjykata me seli në Hagë.
Taxhikistani u bashkohet Çadit, Venezuelës dhe Naoeros, shtetit të vogël ishullor në Oqeanin Paqësor, i njohur më parë si Nauru, të cilët gjithashtu kanë njoftuar tërheqjen pas thirrjes së Shteteve të Bashkuara, në korrik të këtij viti, drejtuar vendeve anëtare për t’u larguar nga gjykata.
Vendimi i Taxhikistanit vjen disa muaj pasi ky shtet u kritikua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për mosrespektimin e detyrimeve që burojnë nga anëtarësia në Statutin e Romës.
Në mars të këtij viti, gjykata kritikoi autoritetet taxhike për mosarrestimin e presidentit rus Vladimir Putin gjatë vizitës së tij në Taxhikistan në vitin 2025.
Putin është subjekt i një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në mars të vitit 2023, lidhur me dyshimet për përgjegjësi penale për deportimin dhe transferimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas nga territoret e pushtuara të Ukrainës.
Si shtet palë në Statutin e Romës, Taxhikistani kishte detyrimin të bashkëpunonte me gjykatën për ekzekutimin e urdhërarrestit.
Megjithatë, vala e largimeve nga Gjykata Penale Ndërkombëtare kishte nisur përpara ofensivës së fundit diplomatike amerikane.
Gjatë vitit 2025, Burkina Faso, Mali dhe Nigeri njoftuan gjithashtu tërheqjen e tyre, duke e cilësuar gjykatën si një instrument të “shtypjes neokoloniale”.
Këto zhvillime pasqyrojnë tensionet në rritje mes drejtësisë penale ndërkombëtare, interesave gjeopolitike të shteteve dhe kundërshtimeve ndaj mënyrës së ushtrimit të juridiksionit të gjykatës.
E themeluar në bazë të Statutit të Romës, të miratuar në vitin 1998 dhe të hyrë në fuqi më 1 korrik 2002, Gjykata Penale Ndërkombëtare është gjykata e parë e përhershme penale ndërkombëtare, me juridiksion mbi individët e akuzuar për genocid, krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krimin e agresionit.
Ndryshe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila shqyrton kryesisht mosmarrëveshjet juridike ndërmjet shteteve, Gjykata Penale Ndërkombëtare ka për objekt përgjegjësinë penale individuale, përfshirë atë të drejtuesve politikë dhe ushtarakë.
Funksionimi i saj mbështetet në parimin e komplementaritetit, sipas të cilit gjykata ndërhyn kur autoritetet kombëtare nuk kanë vullnetin ose aftësinë për të zhvilluar në mënyrë të mirëfilltë hetimet dhe ndjekjen penale për krimet që përfshihen në juridiksionin e saj.
Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina nuk janë palë në Statutin e Romës, ndërsa Shqipëria është ndër shtetet që e kanë ratifikuar këtë traktat.
Në deklaratën e publikuar të hënën, Presidenca e Asamblesë së Shteteve Palë paralajmëroi se vendimi i Taxhikistanit rrezikon të minojë përpjekjet kolektive për drejtësi dhe të dobësojë angazhimin ndërkombëtar për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
Megjithatë, tërheqja nga Statuti i Romës nuk prodhon efekte juridike të menjëhershme.
Sipas nenit 127 të Statutit, tërheqja hyn në fuqi një vit pas datës së marrjes së njoftimit zyrtar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, përveç rasteve kur në njoftim përcaktohet një datë e mëvonshme.
Gjithashtu, largimi nuk e çliron shtetin nga detyrimet që kanë lindur gjatë periudhës kur ai ka qenë palë në Statut. Tërheqja nuk cenon as detyrimet për bashkëpunim në lidhje me hetimet dhe procedimet penale për të cilat shteti kishte detyrimin të bashkëpunonte dhe që kishin nisur përpara hyrjes në fuqi të tërheqjes.
Aktualisht, Gjykata Penale Ndërkombëtare numëron 125 shtete palë. Megjithatë, në këtë numër përfshihen ende shtatë vendet që kanë nisur zyrtarisht procedurat e tërheqjes, pasi afati ligjor për përfundimin e këtij procesi nuk ka kaluar ende.
Nëse të shtatë procedurat përfundojnë dhe nuk ka anëtarësime të reja, numri i shteteve palë do të reduktohet në 118.
Përtej reduktimit të numrit të anëtarëve, largimet përbëjnë një sfidë institucionale për gjykatën, e cila nuk disponon një forcë policore të vetën dhe mbështetet në bashkëpunimin e shteteve për arrestimin dhe dorëzimin e personave të kërkuar, sigurimin e provave dhe ekzekutimin e vendimeve të saj.
Për një institucion të krijuar me ambicien për të garantuar se askush nuk qëndron mbi ligjin, pavarësisht pushtetit apo pozitës që gëzon, vala e tërheqjeve dhe presioni i fuqive të mëdha përbëjnë një provë të rëndësishme për të ardhmen e vetë sistemit të drejtësisë penale ndërkombëtare.





