Mëngjesin e sotëm shumë pika të BKT në Tiranë rezultojnë të mbyllura. Kjo bankë ofron shërbim vetëm në dy tre pika ‘larg’ protestës, njëra te TEG, në periferi të Tiranës ku ka edhe qendrën.
Nuk raportohet kush e ka dhënë urdhrin për mbylljen e aktivitetit normal të bankave, por ajo që dihet është që me fundjavën para, për tre ditë qytetarët e Tiranës do kenë vështirësi në marrjen e shërbimeve bankare.
Disa stacione bankash, pa dallim logosh, u sulmuan këto dy ditë nga revolta në rrugët e Tiranës. Nga bankat raportohen dëme të infrastrukturës së zyrave, në disa raste dhe të bankomateve, por jo dëme në para.
Të gjitha bankat e nivelit të dytë u gjetën të papërgatitura nga “grabitësit” me maska që nuk kishin qëllim paratë e tyre, por vetëm shprehjen e dufit që mori para godina institucionesh dhe jo pak biznese rrugëve apo udhëkryqeve të Tiranës.
Sistemi i mbrojtjes dhe sigurisë së bankave u vendos në një sprovë që nuk e kaloi dot. Rojet e sigurisë në banka treguan një të vërtetë të madhe: bankat në Shqipëri e kanë nivelin e sigurisë zero, megjithëse notojnë në para. Çdo gjë e presin nga Policia e Shtetit.
Mbyllja e degëve të BKT, një nga bankat që ka fluks të madh me llogari dhe veprime me klientët e shumtë, është një kambanë alarmi për aktivitetin normal të bankave të nivelit të dytë.
Në të dyja rastet, edhe të jetë një pamundësi operative ashtu dhe “protestë” për të dhënë mesazhin “mos na prekni”, dëmi është i qytetarëve, pavarësisht se nga të dhënat e fundit u raportua se 1 milion llogari bankare të klientëve shqiptarë janë me depozitë zero.






