Në periferi të Angers, rreth 300 kilometra larg Parisit, mes ndërtesave të një parku industrial, ndodhet L’Ange Vin. Një restorant i vogël, tipik francez, që deri pak vite më parë do të ishte një pamje e zakonshme në qytetet e vogla të Francës. Sot, ai është bërë përjashtim.
Dikur, nëse udhëtoje nëpër La France profonde, gjeje me dhjetëra restorante familjare që shërbenin kuzhinë tradicionale. Sot, në shumë qytete të vogla, panorama është ndryshe: një furrë buke, një piceri dhe ndonjë dyqan “doner kebab”. Restorantet që ofrojnë biftek të skuqur, coq au vin apo midhje në salcë vere të bardhë po mbyllen me një ritëm alarmues – rreth 25 në ditë.
Shifrat flasin vetë. Në të gjithë Francën, fitimi mesatar i restoranteve tradicionale ka rënë nga 11% e xhiros në vitin 2023, në vetëm 3% në vitin 2024. Rritja e kostove dhe rënia e klientelës po i shtyp gjithnjë e më fort.
Për pronarin e L’Ange Vin, Moureaud, realiteti është edhe më i ashpër.
“Sot ndihem sikur punoj për asgjë,” thotë ai. “Pasi paguaj stafin, furnitorët, taksat dhe kontributet, është lehtësim nëse mbyll muajin pa humbje.” Ka muaj, pranon ai, kur nuk i mbetet asgjë për vete. “Jam me fat që gruaja ime punon dhe ka një rrogë të mirë. Më pëlqen ajo që bëj, restoranti ynë vlerësohet me 4.5 yje nga klientët online, por mezi po ia dalim. Është jashtëzakonisht stresuese.”
Zëri i tij dridhet kur flet për 20 vite punë që rrezikojnë të zhduken. Dhe ai nuk është i vetëm. Në një vend që njihet në mbarë botën për kuzhinën dhe kulturën e të ngrënit, mijëra ristorante janë në të njëjtën situatë – ose edhe më keq.
Sipas të dhënave zyrtare, midis qershorit 2024 dhe qershorit 2025, numri i restoranteve të mbyllura në Francë u rrit me 10%, duke arritur rreth 9,800 mbyllje përfundimtare. Xhiroja mesatare ra me 22%, kryesisht për shkak të rënies së numrit të klientëve. Edhe në Angers, restorantet në zonat kryesore po falimentojnë. Shpesh janë pikërisht lokalet tradicionale që zëvendësohen nga kebabet, rrjetet e hamburgerëve apo ushqimi i shpejtë.
Sipas specialistëve, një nga arsyet kryesore është ndryshimi i zakoneve të të ngrënit. Brezi i ri nuk është rritur më me vaktin tradicional francez. “Amerikanizimi i zakoneve tona të ushqimit ka qenë i madh dhe shumë i shpejtë,” thuhet shpesh nga ekspertët e sektorit.
Ironia është se, në vitin 2010, “vakti gastronomik i francezëve” u përfshi në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s. Nuk ishte fjala për receta specifike, por për vetë ritualin: njerëz që mblidhen rreth një tavoline të shtruar bukur, për të ngrënë disa pjata radhazi, të shoqëruara me verë. Një traditë që sot, paradoksalisht, shumë francezë po e braktisin.

Ka edhe përjashtime. Disa sipërmarrje kanë ditur të përshtaten, si rrjeti i ri i restoranteve La Nouvelle Garde, që ofron një version më të përballueshëm dhe më të shëndetshëm të kuzhinёs tradicionale. Por rrjeti i dendur i restoranteve të vogla, që për dekada e ka përcaktuar identitetin kulinar të Francës, po zhduket me shpejtësi.
E ardhmja, paralajmërojnë ekspertët, nuk duket e ndritshme. Rreziku është një sistem me dy nivele: nga njëra anë, pak restorante gastronomike shumë të shtrenjta; nga ana tjetër, ushqim i dobët, ushqim i shpejtë ose ngrënie vetëm në shtëpi. Një skenar që do të ndryshonte rrënjësisht fytyrën e Francës së tavolinës.


(Burimi: BBC)






