Heshtja e presidentit rus Vladimir Putin pas rrëmbimit të presidentit venezuelian Nicolás Maduro nga forcat speciale amerikane ka ngritur pikëpyetje të shumta. Sipas ekspertëve, Moska po përpiqet të përfitojë nga ndërhyrja e Uashingtonit, por njëkohësisht druhet se një precedent i tillë mund të kthehet një ditë edhe kundër vetë Rusisë.
Në rrjetet sociale ruse është bërë virale një meme me citatin e Putinit “Ne nuk i braktisim tanët”, i vendosur krahas fotografive të tij me liderë që dikur i quante aleatë kyç: Muammar Gaddafi, i rrëzuar dhe vrarë në vitin 2011; Bashar al-Assad, i rrëzuar dhe i arratisur në Moskë në vitin 2024; dhe Viktor Yanukovych, i strehuar në Rusi në vitin 2014. Krahas tyre shfaqet edhe Maduro, i cili u nxor me forcë nga dhoma e tij e gjumit nga komandot amerikanë dhe tani po pret gjyqin në Nju Jork për akuza për trafik droge.
Para rrëmbimit, forcat amerikane goditën sistemet e mbrojtjes ajrore Buk-2MA dhe radarët që Rusia i kishte furnizuar Venezuelës si pjesë e një “aleance strategjike”. Megjithatë, marrëveshja e bashkëpunimit ushtarak mes Moskës dhe Karakasit ishte e paqartë dhe nuk parashikonte ndihmë të menjëhershme ushtarake në rast sulmi të huaj.
Edhe pse Ministria e Jashtme ruse e quajti kapjen e Maduro-s një “akt të papranueshëm agresioni të armatosur”, Putini nuk reagoi publikisht dhe nuk ndërmori asnjë veprim ushtarak.
Goditje prestigji, por përfitime afatgjata
Sipas analistëve, pasojat për Rusinë janë të dyfishta. Nga njëra anë, reputacioni ndërkombëtar i Kremlinit pëson goditje, pasi Maduro ishte aleati më besnik i Moskës në Amerikën Latine. Nga ana tjetër, zhvillimet mund t’i shërbejnë interesave strategjike të Rusisë në Ukrainë dhe në hapësirën post-sovjetike.
“Prestigji i Putinit ka pësuar një goditje, por për të është më e rëndësishme ajo që po bën Trump: po vendoset një rend i ri botëror,” tha për Al Jazeera Alisher Ilkhamov, drejtues i një qendre studimore në Londër. Sipas tij, ky rend i ri nuk bazohet më në sovranitetin e shteteve dhe të drejtën ndërkombëtare, por në forcë.
Situata ngjan me pasivitetin rus pas largimit të papritur të Assadit nga Damasku në dhjetor 2024. Disa analistë spekulojnë se Putini dhe presidenti amerikan Donald Trump mund ta kenë “lënë mënjanë” Maduro-n gjatë samitit të tyre në Anchorage, Alaskë, në gusht.
Sipas studiuesit Nikolay Mitrokhin, mund të ketë pasur një marrëveshje jozyrtare për ndarjen e sferave të ndikimit: lëshime amerikane për Ukrainën në këmbim të bashkëpunimit energjetik në Arktikun rus dhe kontrollit amerikan mbi Groenlandën.
Frikë nga precedenti
Ekspertë të tjerë theksojnë se heshtja për Maduro-n nuk do ta afrojë domosdoshmërisht Putinin me Trumpin. “Duke mbyllur sytë ndaj rrëmbimit të Maduro-s, Putini nuk fiton më shumë besim nga Trump,” thotë Galiya Ibragimova nga Carnegie Endowment.
Sipas saj, ajo që e frikëson më shumë Kremlinin është fakti se dikush nga rrethi i ngushtë i Maduro-s ka rrjedhur informacione tek amerikanët. Kjo mund ta shtyjë Putinin të rrisë edhe më tej masat e sigurisë personale, për shkak të bindjes së tij paranojake se është vazhdimisht në shënjestër.
Madje, rrëmbimi i Maduro-s mund të shërbejë si frymëzim për skenarë të ngjashëm nga ana ruse, përfshirë ndonjë plan hipotetik për kapjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Një aleancë e gjatë që u shua
Putin kishte ndërtuar lidhje të forta me paraardhësin e Maduro-s, Hugo Chávez, i cili bleu miliarda dollarë armë ruse dhe hapi një fabrikë për prodhimin e armëve automatike në Venezuelë. Ekspertët rusë luajtën rol kyç edhe në përpunimin e naftës së rëndë venezueliane.
Por teknologjitë e vjetruara nuk arritën të ndalin rënien e prodhimit të naftës, duke çuar vendin drejt krizës ekonomike, hiperinflacionit dhe emigrimit masiv të specialistëve.
Maduro u takua dhjetëra herë me Putinin dhe çdo vizitë në Moskë shoqërohej me ceremoni madhështore dhe premtime për “miqësi të përjetshme”. Në tetor, ai i kërkoi Putinit ndihmë ushtarake dhe financiare shtesë, por nuk është e qartë nëse Moska iu përgjigj.
Ndërkohë, mediat pranë Kremlinit e paraqesin rrëzimin e Maduro-s si pjesë të një plani anti-rus që, sipas tyre, është i destinuar të dështojë.
(Burimi: Pёrshtatur nё shqip nga Al Jazeera)






