Reza Pahlavi, djali në mërgim i shahut të fundit të Iranit, ka reaguar publikisht pas raportimeve për vdekjen e udhëheqësit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, duke deklaruar se Republika Islamike “ka marrë fund” dhe se së shpejti do të përfundojë “në koshin e plehrave të historisë”.
Në një postim në rrjetet sociale, Pahlavi e përshkroi Khamenein si “Zahhaku gjakatar i kohës sonë”, duke iu referuar një figure të ligë në mitologjinë persiane. Ai e akuzoi për vrasjen e “dhjetëra mijëra bijve dhe bijave më të guximshme të Iranit” dhe shtoi se me vdekjen e tij, sistemi aktual politik ka hyrë në fazën e fundit të ekzistencës.
Pahlavi, i cili jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara që prej rrëzimit të babait të tij gjatë revolucionit iranian të vitit 1979, u bëri thirrje zyrtarëve iranianë të mos emërojnë një pasardhës për Khamenein. Sipas tij, çdo përpjekje për të zëvendësuar udhëheqësin suprem është “e dënuar me dështim që në fillim”.
“Ai që do të vendoset në vend të tij nuk do të ketë as legjitimitet dhe as mbijetesë; dhe pa dyshim do të jetë bashkëfajtor në krimet e këtij regjimi”, deklaroi Pahlavi.
Ai iu drejtua gjithashtu forcave ushtarake, të sigurisë dhe policisë, duke e cilësuar momentin si “shansin e fundit” për t’u bashkuar me popullin dhe për të mbështetur një tranzicion drejt një Irani të lirë dhe të begatë.
“Çdo përpjekje për të mbështetur një regjim në rënie është e dënuar të dështojë. Ky është momenti juaj për të ndihmuar në sigurimin e një tranzicioni të qëndrueshëm dhe për të marrë pjesë në ndërtimin e së ardhmes”, u shpreh ai.
Në përfundim të reagimit të tij, Pahlavi tha se kjo periudhë shënon “fillimin e festës së madhe kombëtare”, por theksoi se rruga përpara mbetet ende e gjatë.
(Burimi: The Guardian)






