Nga kontrasT.al
Sot, ekranet televizive në Shqipëri u ndanë më dysh. Në njërën anë, Kuvendi – i përfshirë në debatet e përshpejtuara për “Bordin e Paqes” të Presidentit Trump, me procedura që sfidojnë Kushtetutën. Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese – ku po zhvillohej një betejë tjetër, më e thellë dhe më serioze: a do të mbizotërojë “Republika e Qeveritarëve” apo “Republika e Prokurorëve”?
Në qendër të gjyqit: Belinda Balluku. Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, qё u pezullua nga detyra me vendim të GJKKO-së, u kthye nё objekt tё ankimit të Kryeministrit në Gjykatёn Kushtetuese.
Prokurorja e SPAK, Dorina Bejko, foli qartë: Hetimi ndaj Ballukut është në zhvillim. Dinamik. I pambyllur. Dhe, sipas SPAK, fakti që ajo vijon të mbajë një nga portofolët më të fuqishëm të shtetit – energjinë dhe infrastrukturën – përbën rrezik real për interesin publik. Rrezik për ndikim mbi prova. Rrezik për përsëritje të veprave të së njëjtës natyrë. Rrezik për pengim hetimi.
Në gjuhë më të thjeshtë: sipas prokurorisë, problemi nuk është vetëm çfarë ka ndodhur, por çfarë mund të ndodhë nëse pushteti mbetet në të njëjtat duar gjatë hetimit.
SPAK këmbënguli se masa e pezullimit nuk është “shkarkim de facto”, siç pretendon qeveria, por instrument procedural i parashikuar pikërisht për raste kur vazhdimi i funksionit cenon hetimin dhe interesin publik. “Ne e kemi qepur mirë masën”, ishte fraza që ra në sy – një formulim i pazakontë për sallën e Kushtetueses, por i qartë në mesazh: SPAK nuk e konsideron veten aktor të improvizuar.
Momenti më i pazakontë – për të mos thënë qesharak – erdhi nga përfaqësuesi i Presidencës, ish demokrati Ilir Rusmaili. Një skenar ekstrem u hodh në sallë prej tij: Po sikur SPAK nesër të pezullojë Kryeministrin dhe gjithë ministrat? A mbetet vendi pa ekzekutiv?
Ishte gjyqtarja Marsida Xhaferllari ajo që e zbërtheu skenarin me njё pyetje nё një shqipe të pastër: Si shpёtojmё ne mos ta kthejmё vendin nga “Republikë Parlamentare” në “Republikë të Prokurorëve”?…pra kur hipotetikisht mund tё ketё mundёsi qё e gjithё qeveria me gjithё kryeministёr tё kёrkohet tё futet nё masё sigurimi kolegjial “pezullim”?
Prokurori i SPAK, Dritan Prenҫi u përgjigj shkurt duke e lёnё tё “thatё” pa ilaritet diskutimesh, provokimin presidencial: pyetja është hipotetike, jashtë parashikimeve kushtetuese dhe pa lidhje me çështjen konkrete.
Nё gjykimin e sotёm, paradoksalisht, u pa më qartë se kudo kontrasti mes dy botëve juridike: njëra që flet me prova, rrezik procedural dhe hetim konkret; tjetra që flet me skenarë imagjinarë, hipotetikё dhe politikë. Kuvendi i Shqipёrisё qё pёrfaqёsohej me njё rrogtare tё paftilluar; dy juristё tё kryeministrisё qё leksionin “mbroni Ballukun” e kishin mёsuar pёrmendёsh dhe “akrobatin” e famshёm tё Presidentit Bajram Begaj, i cili ashtu si nё ҫёshtjen “Veliaj” shfrytёzoi edhe sot sallёn e vockёl kushtetuese pёr provokime juridike tё mёdha. Nga ana e kundёrt, dy prokurorёt seriozё tё SPAK u rezervuan tё jenё thjesht hetues tё padepёrtueshёm.
Në hapjen e seancës, përfaqësuesit e Kryeministrisë dhe Kuvendit mbrojtën me shumё insistim qëndrimin e qeverisë: se pezullimi cenon ndarjen e pushteteve dhe balancën institucionale. Por në fund të saj – aty ku zakonisht zhvillohet pjesa më e rëndësishme e çdo procesi gjyqёsor dhe kushtetues, pёr pyetje ndaj palës tjetër – ata nuk kishin më fuqi. Asnjë pyetje nga “kryeministrorёt”, “parlamentarёt” dhe “presidencialёt” për dy prokurorёt e SPAK-ut. Dhe ky ishte ndoshta qёndrimi mё i sinqertë i ditës: “Pyetje s’kemi – dakord me SPAK nuk jemi!”
Në një proces të kësaj natyre, fuqia nuk qëndron në leximin e parashtrimeve të përgatitura, por në aftësinë për të vënë në provë argumentin e kundërshtarit me pyetje të zgjuara. Pyetje që zbulojnë kontradikta. Pyetje që ekspozojnë dobësi. Pyetje që bëjnë diferencën mes profesionistëve të shtetit dhe “lexuesve pёrmendёsh” të materialeve tё pregatitura nё zyrat e pushtetit.
Sot, në sallën e Gjykatёs Kushtetuese, u panë lexuesit e mirё, por jo debatuesit e fortë. Anёtarёt e Gjykatёs nga ana e tyre bёnё shumё pyetje qё nё gjuhёn juridike quhen “shterruese”. Ata donin tё “ndiznin” debatin kushtetues mes kundёrshtarёve, por kjo nuk ndodhi, edhe kur pyeti gjyqtari mё i ri kushtetues Asim Vokshi, as kur drejtimin e pyetjeve e mori “shpuza” kushtetuese Marsida Xhaferllari.
Gjykimi i sotёm u mbyll. Tani pritet vendimi: A do të anojë Gjykata Kushtetuese nga “Republika e Qeveritarëve” – ku pushteti politik kërkon të mbrojë veten nga ndjekja penale – apo nga “Republika e Prokurorëve” – ku hetimi penal vendos kufij mbi pushtetin ekzekutiv, nё mbrojtje tё interest publik?
Përgjigjja nuk është më vetëm për Belinda Ballukun apo nesёr Edi Ramёn.
Vendimi do jetё për modelin e shtetit që Shqipëria meriton tё ketё. Mbi tё gjitha njё model kushtetues!
© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






