Pentagoni ka nisur procedura disiplinore ndaj senatorit demokrat të Arizonës, Mark Kelly, ish-kapiten i Marinës amerikane, duke paralajmëruar ulje të gradës së pensionit ushtarak dhe për rrjedhojë edhe të pagesës së tij të pensionit. Shkak është bërë një video e publikuar nga Kelly dhe pesë ligjvënës të tjerë demokratë, ku u bëjnë thirrje anëtarëve të forcave të armatosura të refuzojnë zbatimin e urdhrave të paligjshëm.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e cilësoi videon si “të pamatur dhe provokuese”, duke thënë se ajo synon të minojë disiplinën dhe rendin ushtarak. Sipas tij, si oficer në pension që ende merr pension nga ushtria, Kelly vijon t`i nënshtrohet rregullave të drejtësisë ushtarake.
Senatorit i janë dhënë 30 ditë afat për të paraqitur një përgjigje zyrtare përpara se të merret vendimi përfundimtar mbi gradën e tij të daljes në pension.
Nga ana tjetër, Mark Kelly ka reaguar ashpër, duke e quajtur veprimin e Pentagonit “skandaloz” dhe “jo-amerikan”. Ai deklaroi se nuk do të tërhiqet dhe se do ta luftojë vendimin, duke e cilësuar atë si përpjekje për të frikësuar kritikët e administratës.
“Unë kam shërbyer për të mbrojtur Kushtetutën. Dhe sot kërcënimet ndaj saj nuk vijnë vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda,” deklaroi Kelly.
Polemika lidhet me një video të publikuar në nëntor, pas sulmeve amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge pranë brigjeve të Amerikës së Jugut. Në video, ligjvënësit u kujtojnë ushtarakëve se ligji amerikan u jep të drejtën të refuzojnë urdhra të paligjshëm.
Presidenti Donald Trump reagoi menjëherë ndaj videos, duke i akuzuar ligjvënësit për “sjellje rebele në nivelin më të lartë”, ndërsa administrata e tij urdhëroi shqyrtimin e sjelljes së Kelly sipas kodeve ushtarake.
Ngjarja ka hapur debat të fortë në SHBA mbi lirinë e fjalës së ligjvënësve, kufijtë e disiplinës ushtarake dhe rolin e ushtrisë në konfliktet politike.
(Burimi: BBC)






