Shumë gra dhe nëna hyjnë në sezonin e festave me më shumë peshë se gëzim. Ngarkesa mendore – ajo listë e padukshme detyrash, kujdesi emocional dhe organizimi i gjithçkaje – i shoqëron nënat gjatë gjithë vitit, por në Krishtlindje ajo shumëfishohet.
Një anketë e organizatës Make Mothers Matter, prezantuar në Parlamentin Europian, tregoi se 78% e nënave spanjolle ndihen të mbingarkuara. Ato marrin përsipër rreth 64% të punëve të shtëpisë, pavarësisht nëse punojnë apo jo, dhe vetëm 53% ndihen të vlerësuara për rolin e tyre si nëna. Kjo pabarazi ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien emocionale dhe ekonomike të tyre.
Krishtlindjet e thellojnë këtë realitet. Sipas María Isabel Jociles, profesoreshë e Antropologjisë në Universitetin Complutense të Madridit, pritshmëritë gjinore të rrënjosura që nga fëmijëria i vendosin gratë në qendër të punës së padukshme të kujdesit — edhe në marrëdhëniet ku partnerët kanë punë të barabarta. Ato mbajnë mbi vete përgjegjësinë për harmoninë familjare, shmangien e konflikteve, menaxhimin e marrëdhënieve me familjen e gjerë dhe planifikimin e çdo ngjarjeje.
Këtij presioni i shtohen dhuratat, blerjet, gatimet e festave, deri nё koordinimin e çdo detaji. “Nuk janë gjëra të vogla, por pjesë thelbësore e kujdesit emocional,” thekson Jociles, “dhe zakonisht bien mbi gratë sepse shoqëria e lidh këtë rol me identitetin femëror.”
Psikologia Paola Roig paralajmëron se mbingarkesa e sezonit të festave mund të shtojë lodhjen kronike, pagjumësinë dhe irritimin te nënat, duke i bërë festat më stresuese sesa gëzuese. Në një atmosferë ku nënat shpesh kërkojnë më shumë nga vetja, detyrat shtesë krijojnë presion të panevojshëm.
Roig sugjeron një strategji të thjeshtë: strukturë dhe ndarje detyrash. Çdo aktivitet duhet ndarë në hapa të qartë dhe përgjegjësitë të shpërndahen. Për shembull, darka e Krishtlindjeve nuk ka vetëm gatimn- përfshin zgjedhjen e menusë, numrin e të ftuarve, pazaret, shtrimin, pastrimin dhe korrdinimin e secilit proces. E njëjta logjikë vlen edhe për dhuratat: bisedat me fëmijët, zgjedhjet, blerjet dhe paketimi nuk mund të bien mbi një person të vetëm.
Sipas Roig, vendosja e kufijve, kërkimi i ndihmës dhe thjeshtimi i aktiviteteve janë të domosdoshme që Krishtlindjet të mos kthehen në garë të lodhshme, por të mbeten kohë lidhjeje, pushimi dhe gëzimi.
Por ndryshe nga nënat spanjolle, nënat shqiptare shpesh përballen me një barrë edhe më të madhe. Ato e mbajnë peshën e festave mbi supe ndërkohë që kanë më pak kushte, mё pak mbështetje institucionale, më pak ndarje të drejtë të punëve në familje dhe më pak ose aspak kohë për veten. Në shumë shtëpi shqiptare, nënat janë ato që ndezin dritat, përgatisin tryezën, gatuajnë, planifikojnë, pajtojnë, qetësojnë e kujdesen që festa të ndihet si festë për të gjithë — edhe kur vetë janë të lodhura.
Megjithatë, ato vazhdojnë ta bëjnë me një përkushtim që shpesh kalon në sakrificë të heshtur, për të mbajtur familjet e tyre të bashkuara dhe të mbushura me ngrohtësi. Dhe pikërisht për këtë, në prag të sezoni të festave, më shumë se kurrë, duhet t’i shohim, t’i dëgjojmë dhe t’i vlerësojmë — jo vetëm për atë që bëjnë, por për atë që janë: zemra e çdo shtëpie.
(Burimi: El Pais)






