Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar disa punonjësve të ambasadës në Izrael që të largohen nga vendi nëse dëshirojnë ta bëjnë këtë – dhe të veprojnë menjëherë – ndërsa frika për një sulm të mundshëm amerikan ndaj Iranit ka rritur ndjeshëm tensionet në rajon.
Mesazhi është përcjellë përmes një emaili nga ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, dërguar të premten stafit të misionit diplomatik. Në email thuhet se ata që duan të largohen duhet ta bëjnë këtë “SOT”.
Sipas ambasadorit, udhëzimi është dhënë “pёr tё shtuar kujdesin”, pas një sërë takimesh dhe bisedash gjatë natës, përfshirë komunikime me Departamentin e Shtetit. Në mesazh theksohet se “nuk ka nevojë për panik”, por se ata që planifikojnë të largohen duhet të bëjnë planet sa më shpejt, përpara se kërkesa për fluturime nga Izraeli të rritet.
Ndërkohë, Departamenti i Shtetit njoftoi se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, do të vizitojë Izraelin të hënën për të diskutuar “prioritetet rajonale”, përfshirë Iranin.
Zhvillimet vijnë pasi raundi i fundit i bisedimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit për programin bërthamor iranian përfundoi pa ndonjë përparim të dukshëm. Presidenti Donald Trump ka grumbulluar njё numёr të madh forcash ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, më i madhi në dekada.
Të premten, Trump përsëriti kërcënimet ndaj Iranit, por tha se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. “Do të doja të mos përdorja forcën ushtarake, por ndonjëherë duhet”, u tha ai gazetarëve. Ai theksoi se Irani “nuk mund të ketë armë bërthamore” dhe u shpreh i pakënaqur me mënyrën si po zhvillohen negociatat.
Irani ka paralajmëruar se do të sulmojë bazat amerikane në rajon nëse goditet. Një përshkallëzim i mundshëm mund të përfshijë edhe Izraelin, i cili zhvilloi një luftë 12-ditore me Iranin në muajin qershor.
Ambasada amerikane në Jerusalem konfirmoi në një njoftim publik se personeli jo emergjent dhe familjarët e tyre lejohen të largohen për shkak të “rreziqeve të sigurisë”, pa dhënë detaje të tjera. Masa nuk është një urdhër evakuimi i detyrueshëm, si ai i vendosur këtë javë për disa punonjës në ambasadën amerikane në Bejrut, por një largim i autorizuar.
Edhe vende të tjera kanë ndërmarrë masa paraprake. Britania njoftoi të premten se ka tërhequr përkohësisht stafin e saj nga Irani për shkak të situatës së sigurisë. Kina u bëri thirrje qytetarëve të saj të shmangin udhëtimet drejt Iranit dhe u kërkoi atyre që ndodhen atje të largohen sa më shpejt, ndërsa ambasada kineze në Izrael paralajmëroi për rritje të rreziqeve në rajon.
Disa kompani ajrore, përfshirë KLM nga Holanda, kanë njoftuar pezullimin e fluturimeve nga aeroporti Ben Gurion në Tel Aviv.
Megjithatë, sipas burimeve të njohura me bisedimet në Gjenevë, administrata Trump i ka konsideruar negociatat e fundit si “pozitive”. Edhe ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, u shpreh se takimet, të cilat zgjatën rreth gjashtë orë dhe u zhvilluan në mënyrë indirekte, kishin tone konstruktive.
Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr al-Busaidi, i cili ndërmjetëson bisedimet, deklaroi se është arritur “përparim domethënës” dhe se negociatat do të rifillojnë pas konsultimeve në kryeqytetet përkatëse, me diskutime teknike të planifikuara javën e ardhshme në Vjenë.
(Burimi: NBCNEWS)





