Një juri në shtetin amerikan të Luizianës ka shpallur fajtore ish-kryebashkiaken e qytetit DeRidder, Misty Roberts, për abuzim seksual me një të mitur 16-vjeçar, një ngjarje që sipas prokurorisë ndodhi gjatë një feste në shtëpinë e saj ndërsa ajo ishte ende në detyrë.
Roberts, 43 vjeçe, u dënua për dy akuza penale: marrëdhënie seksuale me një të mitur dhe sjellje të pahijshme me një të mitur. Sipas ligjit të Luizianës, për këto vepra ajo përballet me dënime që mund të arrijnë deri në 10 dhe 7 vite burg. Vendimi përfundimtar për dënimin pritet të shpallet më 17 prill.
Vendimi erdhi pas një gjyqi shtatëditor në DeRidder. Juria u këshillua për më pak se një orë përpara se të arrinte në përfundimin se ish-kryebashkiakja ishte fajtore për ngjarjen që, sipas akuzës, ndodhi në korrik 2024 gjatë një feste në pishinë në shtëpinë e saj.
Sipas dëshmisë së viktimës në gjykatë, gjatë festës të dy kishin konsumuar alkool. Djali deklaroi se Roberts kishte filluar të flirtonte me të pranë pishinës dhe më pas e kishte puthur, përpara se ta çonte në katin e sipërm të shtëpisë ku, sipas tij, ndodhi abuzimi seksual.
Në kohën e ngjarjes viktima ishte 16 vjeç, një moshë në të cilën sipas ligjit nuk mund të jepet pëlqim ligjor për marrëdhënie seksuale me një të rritur.
Gjatë gjyqit dëshmuan edhe fëmijët dhe nipi i Roberts, të cilët thanë se i kishin parë të dy së bashku atë natë, megjithëse nuk kishin qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të aktit. Në proces u përmendën gjithashtu mesazhe dhe dëshmi që, sipas prokurorisë, tregonin përpjekje për të ndikuar dëshmitë e familjarëve.
Viktima vetё përshkroi se e dëgjoi Roberts të grindej me të birin dhe t`i bërtiste: “Shko lufto shokun tënd – ai është personi që e bëri”. Ndёrsa nga dёshmia e njё shoferi tё shёrbimit DoorDash pёr shprndarje tё produkteve nё shtёpi, u konkludua se ajo kishte porositur kontraceptivin e urgjencës- Plan B. Dëshmitё vërtetuan se Roberts gjithashtu i kishte udhëzuar fëmijët dhe nipin e saj të gënjenin për atë që kishin parë, madje duke i dërguar njërit prej tyre një mesazh: “Gënjeni derisa të vdisni”.
Ish-bashkëshorti i Roberts, Duncan Clanton, deklaroi në gjyq se ajo ia kishte pranuar atij atë që kishte ndodhur dhe se ishte kapur nga fëmijët e tyre. Në proces u përmendën edhe mesazhe që ajo i kishte dërguar, ku shkruante se kishte bërë “një gabim”.
Në tetor tё vitit tё kaluar edhe vëllai i saj 40-vjeçar, Brandon Lee Roberts, ёshtё deklaruar fajtor për përdhunimin e dy personave: një vajze të mitur dhe një gruaje të re dhe ёshtё dёnuar me 42 vjet burg.
Roberts dha dorëheqjen nga posti i kryebashkiakes një ditë pasi autoritetet nisën hetimin për rastin. Në letrën e dorëheqjes ajo nuk përmendi hetimin penal. Më pas ajo pagoi një garanci prej 75 mijë dollarësh për të pritur gjyqin në gjendje të lirë.
Misty Roberts ishte zgjedhur për herë të parë kryebashkiake e DeRidder në vitin 2018, duke u bërë gruaja e parë që mbante këtë post në qytetin me rreth 10 mijë banorë pranë kufirit të Luizianës me Teksasin. Ajo fitoi një mandat të dytë në vitin 2022.
Pas dorëheqjes së saj, qyteti zgjodhi Michael D. Harris si kryebashkiak të ri.

(Burimi: The Guardian)






