Shtetet e Bashkuara kanë rënë në pozicionin më të ulët ndonjëherë në një nga indeksët më të rëndësishëm globalë që mat perceptimin e korrupsionit në sektorin publik. Sipas raportimit të CNN, vendi më i fuqishëm demokratik në botë zbriti në vendin e 29-të nga 182 shtete në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI), një nivel që nuk ishte regjistruar që nga riformulimi i metodologjisë në vitin 2012.
Me këtë renditje, SHBA barazohet me Bahamas dhe mbetet pas vendeve si Lituania, Barbados dhe Uruguai. Rënia nuk është e papritur: prej një dekade vendi ka ndjekur një trajektore negative, ndërsa rezultati i përgjithshëm arriti vetëm 64 pikë në një shkallë ku 100 konsiderohet “shumë i pastër” dhe 0 “shumë i korruptuar”.
Transparency International shprehu shqetësim të hapur për situatën. Drejtoresha ekzekutive Maíra Martini paralajmëroi se tendenca rënëse mund të vazhdojë, ndërsa organizata theksoi se veprime që dobësojnë zërat e pavarur dhe cenojnë pavarësinë e gjyqësorit janë arsye serioze alarmi.
Sipas raportit, goditjen e fundit e dha administrata e Donald Trump, e cila pezulloi hetimet për ryshfet ndërkombëtar të korporatave dhe kufizoi zbatimin e ligjit për regjistrimin e agjentëve të huaj. Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, Trump është akuzuar gjithashtu se ka dobësuar institucionet dhe ka përdorur instrumentet shtetërore kundër kundërshtarëve politikë.
Rënia nuk është vetëm amerikane. Transparency International vëren një përkeqësim shqetësues edhe në demokraci të tjera të mëdha, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Kanadanë. Londra, megjithëse ruajti vendin e 20-të, shënoi rezultatin më të ulët historik me 70 pikë, mes kritikave për ndikimin e donatorëve të mëdhenj në politikë dhe emërime publike të diskutueshme.
Mesatarja globale e indeksit ra në 42 pikë – niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë – duke sinjalizuar se shumica e vendeve po dështojnë të mbajnë nën kontroll korrupsionin.
Në krye të listës qëndron Danimarka për të tetin vit radhazi me 89 pikë, e ndjekur nga Finlanda dhe Singapori, të cilat perceptohen si administratat publike më të pastra në botë. Megjithatë, raporti thekson se një renditje e lartë nuk do të thotë domosdoshmërisht mungesë korrupsioni në çdo sektor, pasi edhe vende me reputacion të fortë janë kritikuar për lehtësimin e qarkullimit të parave të pista në sektorin privat.
Rënia e SHBA-së në këtë indeks konsiderohet sinjal paralajmërues për shëndetin e institucioneve demokratike, duke treguar se edhe sistemet më të konsoliduara nuk janë imune ndaj erozionit të besimit publik dhe presioneve politike.
(Burimi: CNN)






