Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë me kryetar gjyqtarin e Gjykatës së Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Engert Pёllumbi, ka reaguar me një deklaratë publike në mbrojtje të magjistratit Asim Vokshi, pas publikimeve të fundit të Top Channel dhe disa mediave online.
Sulmi ndaj gjyqtarit Asim Vokshi filloi menjëherë pas shpalljes së tij fitues si anëtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese. Sfida për 1 votë ishte me Naureda Llagamin, ish-kreun e KLGJ-së, e cila e ka dërguar çështjen e “votёs” në Gjykatën Kushtetuese.
Televizioni kombëtar Top Channel pretendoi se posedonte një dokument ku gjyqtari Asim Vokshi dyshohej se ishte bashkëpunëtor i shërbimeve të huaja. Në një fragment të dokumentit që ky televizion nuk e bëri publik, shkruhej:
Pas vendimmarrjes nr. 14, datë 17.06.2025, të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, konstatohet se Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK) ka përcjellë pranë Këshillit një shkresë me informacion me përmbajtje të klasifikuar “sekret”, në lidhje me kandidatin (gjatë muajit qershor dhe gusht 2025).
Aludimet për “Agjent sekret i shërbimeve të huaja” u hodhën poshtë edhe nga vetë gjyqtari Asim Vokshi në një prononcim publik në rrjetet sociale, ku ai jo vetëm i konsideroi shpifje të ulëta këto publikime, por la të nënkuptohej se do t’i ndiqte ligjërisht ato.
Shoqata e gjyqtarëve sot doli hapur në mbrojtje të gjyqtarit Asim Vokshi duke deklaruar ndër të tjera se, “publikimet në formën e sulmeve personale kanë tejkaluar kufijtë e kritikës së lejueshme dhe janë shndërruar në denigrime që cënojnë drejtpërdrejt dinjitetin, reputacionin dhe integritetin institucional të magjistratit.”
Lexoni deklaratën e plotë:
SHOQATA KOMBËTARE E GJYQTARËVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbrojtje të integritetit dhe dinjitetit të magjistratit
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të thellë deklarimet dhe publikimet e fundit në media vizive, të shkruara dhe elektronike, që kanë pasur në fokus kandidimin e magjistratit z.Asim Vokshi në pozicionin e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese.
Këto publikime kanë marrë formën e sulmeve personale, të cilat kanë tejkaluar kufijtë e kritikës së lejueshme dhe janë shndërruar në denigrime që cënojnë drejtpërdrejt dinjitetin, reputacionin dhe integritetin institucional të magjistratit.
Shoqata vlerëson rolin themelor që ushtron media në një shoqëri demokratike, si garantuese e transparencës dhe përgjegjshmërisë publike. Liria e shprehjes dhe shpërndarjes së informacionit, të parashikuara në nenin 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe nenet 22 e 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përbëjnë baza të pandashme të shtetit të së drejtës. Megjithatë, ushtrimi i këtyre lirive duhet të bëhet në mënyrë të përgjegjshme, etike dhe në respekt të së vërtetës, në mënyrë që media të mos shndërrohet në mjet presioni apo në instrument për cënimin dhe denigrimin e figurës së magjistratëve.
Shoqata thekson se liria e medias nuk mund të përdoret për të justifikuar presione publike, nxitje, përbuzjeje apo cenim të dinjitetit njerëzor dhe institucional të magjistratit, sidomos në procese të tilla kandidimi me rëndësi dhe ndikim të madh në publik.
Denigrimet personale dhe përpjekjet mediatike për delegjitimim të proceseve të kandidimit të magjistratëve bien ndesh me standardet profesionale të gazetarisë, parimet e etikës publike dhe detyrimin për respektimin e dinjitetit njerëzor që burojnë nga Kushtetuta, ligji dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Kalimi i këtyre kufijve përbën abuzim me të drejtat e garantuara dhe cënon besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, për të cilin magjistratët me punën e tyre të përditshme luftojnë ta fitojnë.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë u bën thirrje të gjithë përfaqësuesve të medias televizive, të shkruar dhe elektronike që, në ushtrimin e profesionit të tyre, të udhëhiqen nga parimet e mirëbesimit, etika profesionale dhe deontologjia gazetareske.
Ritheksojme se respektimi i dinjitetit të magjistratëve është kusht themelor për ushtrimin e pavarur të pushtetit gjyqësor dhe për ruajtjen dhe forcimin e besimit të publikut në drejtësi.
Ky qëndrim publik nuk duhet interpretuar si tentativë për krijimin e mureve komunikimi apo kufizim të bashkëpunimit me median. Përkundrazi, Shoqata rithekson gatishmërinë për dialog dhe bashkëpunim ndërinstitucional, në funksion të një komunikimi të ndershëm dhe profesional që reflekton rolin dhe përgjegjësinë e gjyqësorit në mbrojtje të shtetit të së drejtës dhe të parimeve të demokracisë.
Tiranë, më 10 nëntor 2025
Në emër të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë
Z.Engert Pëllumbi
Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë






