Ëndrra për një vend në Botëror u ndal në Varshavë për Shqipërinë, pas humbjes 2-1 ndaj Polonisë në gjysmëfinalen e “play-off”-it. Një ndeshje e luftuar, me emocione dhe shpresë deri në fund, por që në fund buzëqeshja i takoi vendasve.
Kuqezinjtë e nisën sfidën me kujdes, duke përballuar presionin fillestar të polakëve dhe rrezikun e vazhdueshëm që vinte nga Robert Levandovski. Megjithatë, ekipi i drejtuar nga Silvinjo nuk u dorëzua dhe u përgjigj me kundërsulme të shpejta, duke dhënë sinjale se ishte në lojë.
Shpërblimi erdhi në fundin e pjesës së parë, kur një gabim në mbrojtjen polake i dha mundësinë Arbër Hoxhës të përfitojë, të kalojë portierin dhe të dërgojë topin në rrjetë. Shqipëria shkoi në pushim në avantazh, duke ndezur shpresat e një mbrëmjeje historike.


Por pjesa e dytë foli ndryshe. Polonia rriti ritmin dhe presionin, duke arritur të barazojë me Levandovskin pas një goditjeje këndi. Më pas ishte Zielinski ai që përmbysi gjithçka, duke vulosur eliminimin e Shqipërisë dhe fundin e rrugëtimit drejt Botërorit.
Megjithatë, ndërsa Shqipëria ndalet, një tjetër histori shqiptare vazhdon të shkruhet. Kosova arriti një fitore spektakolare 3-4 ndaj Sllovakisë dhe siguroi finalen, ku do të përballet me Turqinë për një vend në Botëror.
Kështu, edhe pse kuqezinjtë u ndalën, shpresa shqiptare nuk shuhet. Ajo vazhdon me Kosovën, që tashmë mban mbi supe ëndrrën e një kombi për të parë flamurin shqiptar në skenën më të madhe të futbollit botëror.






