Lëvizjet e fundit në kupolën drejtuese të Kinës po tërheqin vëmendjen e analistëve ndërkombëtarë, ndërsa shërbimet amerikane të inteligjencës përpiqen të kuptojnë arsyet pse presidenti Xi Jinping ka ndërmarrë një tjetër spastrim të bujshëm në radhët e ushtrisë.
Ministria kineze e Mbrojtjes njoftoi më 24 janar se dy gjeneralë të rangut të lartë, përfshirë gjeneralin Zhang Youxia – një veteran lufte dhe i konsideruar prej kohësh besnik i Xi-së – janë nën hetim për “shkelje të rënda”. Vendimi ka habitur shumë vëzhgues, pasi Zhang shihej si një nga komandantët më të besuar të liderit kinez.
Sipas zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve amerikanë, nuk ka ende një arsye të qartë për këtë veprim. Disa vlerësojnë se Xi mund të jetë duke reaguar nga frika ndaj një sfide politike, të tjerë mendojnë se bëhet fjalë për një përpjekje reale kundër korrupsionit në ushtri, ndërsa një pjesë e analistëve e lidhin situatën me një nivel të lartë paranoje në stilin e tij të drejtimit.
Që nga ardhja në pushtet në vitin 2012, Xi Jinping ka forcuar kontrollin mbi Partinë Komuniste përmes fushatave antikorrupsion dhe largimeve masive nga detyra, duke u shndërruar në liderin më të fuqishëm kinez të dekadave të fundit. Nga gjashtë gjeneralët e emëruar prej tij në Komisionin Qendror Ushtarak në vitin 2022, vetëm një ka mbetur në detyrë, duke krijuar një boshllëk të ndjeshëm në drejtimin e ushtrisë më të madhe në botë.
Ekspertët theksojnë se në sistemet autokratike rreziku më i madh për liderin shpesh vjen nga rrethi i tij i brendshëm. Një gjeneral i suksesshëm mund të kthehet lehtësisht në një qendër alternative pushteti, ndërsa një komandant i dobët shihet gjithashtu si problem – një balancë e vështirë që shpesh përfundon me spastrime.
Megjithatë, ngrihen shumё pikëpyetje nëse këto vendime janë plotësisht racionale. Disa ish-analistë të inteligjencës amerikane argumentojnë se paranoja duket të jetë më shumë një tipar i lidershipit të Xi-së sesa një dobësi, duke e ndihmuar atë të mbijetojë politikisht përballë rivalëve të fuqishëm.
Ndërkohë, media të ndryshme raportuan se disa oficerë kinezë janë informuar se gjenerali Zhang mund të ketë spiunuar për SHBA-në, por zyrtarë amerikanë thonë se nuk kanë prova për një gjë të tillë. Autoritetet kineze, nga ana tjetër, e paraqesin hetimin si pjesë të politikës së “tolerancës zero” ndaj korrupsionit.
Spastrimet kanë ngritur shqetësime edhe për efektet që mund të kenë në planifikimin ushtarak, veçanërisht në një kohë kur tensionet rreth Tajvanit mbeten të larta. Mosbesimi mes partisë dhe ushtrisë mund të sjellë hezitim në operacione të mëdha, të paktën në afat të shkurtër, paralajmërojnë studiuesit.
Disa analistë besojnë se veprimet e shpejta të Xi-së mund të lidhen edhe me përgatitjet për kongresin e ardhshëm të Partisë në vitin 2027. Pas marrjes së një mandati të tretë, një hap i pazakontë për politikën kineze, ai mund të synojë edhe një mandat të katërt – dhe largimi i figurave me ndikim mund të jetë mënyrë për të shmangur kundërshtitë.
Në çdo rast, spastrimet në majat e ushtrisë kineze po shihen si një sinjal i fortë se lufta për kontroll brenda elitës së Pekinit është larg përfundimit, ndërsa vendimet e Xi Jinping vazhdojnë të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë globale dhe ekuilibrat politikë.
(Burimi: The New York Times)






