Ndërsa inteligjenca artificiale po depërton gjithnjë e më shumë në jetën e përditshme, një debat i ri po merr formë: a po zëvendëson A.I. lidhjet njerëzore dhe a rrezikon të bëhet partneri i tretë në marrëdhëniet tona? Sipas studiueses Amelia Miller, e cila ka analizuar marrëdhëniet njeri–A.I. në Oxford Internet Institute, shoqëria mund të jetë duke hyrë në një epokë ku makinat nuk janë më vetëm mjete, por shokë, këshilltarë emocionalë dhe madje “partnerë” që ndikojnë në vendimet intime të njerëzve.
Gjithçka nisi me një pyetje të thjeshtë drejtuar një studiuesi të inteligjencës artificiale: a duhet A.I. të simulojë intimitet emocional? Përgjigjja nuk ishte as pohuese dhe as mohuese. Studiuesi hezitoi, duke pranuar se kjo do të krijonte konfuzion dhe se ishte e vështirë të thuhej nëse do të ishte diçka e mirë apo e dëmshme. Ky hezitim, sipas Miller, tregon një realitet më të thellë: edhe ata që ndërtojnë teknologjinë nuk janë të sigurt për pasojat e saj.
Në intervistat me shkencëtarë, dizajnerë dhe drejtues kompanish që zhvillojnë chatbotë dhe aplikacione shoqëruese, autorja zbuloi një paradoks. Shumë prej tyre pranojnë se këto mjete mund të krijojnë varësi emocionale, por njëkohësisht shpresojnë të mos kenë kurrë nevojë për to në jetën personale. Disa thanë hapur se asnjë nga nevojat e tyre emocionale nuk plotësohet nga A.I., ndërsa të tjerë e përshkruan idenë e mbështetjes te makinat si një “ditë të errët”.
Megjithatë, teknologjia po ecën me shpejtësi. Miliona përdorues po i drejtohen chatbotëve për biseda personale, këshilla apo thjesht për të mos u ndjerë vetëm. Kompanitë e shohin këtë si një treg të madh, ku inteligjenca artificiale me aftësi emocionale mund të rrisë angazhimin e përdoruesve dhe fitimet. Vendimet e përditshme të dizajnit — si mënyra e komunikimit, gjuha apo reagimet — kodojnë vlera që ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën si njerëzit lidhen me këto sisteme.
Sipas Miller, rreziku qëndron te fakti se A.I. ofron një formë marrëdhënieje pa fërkime: është gjithmonë e disponueshme, nuk kundërshton, nuk lodhet dhe nuk kërkon kompromis. Në krahasim, marrëdhëniet njerëzore kërkojnë durim, kohë dhe shpesh herё sjellin konflikte. Kur një alternativë “e përsosur” është vetëm një klik larg, lind pyetja nëse njerëzit do të vazhdojnë të investojnë në lidhje reale.
Ka edhe shqetësime se disa produkte janë ndërtuar për të forcuar këtë lidhje emocionale. Platforma të caktuara ofrojnë forma më intime komunikimi vetëm për përdoruesit me pagesë, ndërsa kritikat ndaj aplikacioneve të njohura kanë ngritur dyshime se momentet e ndjeshme shfrytëzohen për të nxitur abonime. Në disa raste, chatbotët janë akuzuar se kanë vepruar si “dhoma jehone”, duke përforcuar mendime problematike ose duke ndikuar negativisht në marrëdhëniet personale.
Ndërkohë, drejtues të industrisë argumentojnë se këto teknologji mund të sjellin përfitime reale. Në një botë me nivele në rritje të vetmisë dhe mungesë specialistësh të shëndetit mendor, A.I. mund të ofrojë mbështetje të lirë dhe të aksesueshme. Studime të hershme sugjerojnë se përdorimi i chatbotëve mund të ulë ankthin dhe ndjenjën e izolimit. Por edhe përdorimi i moderuar i tyre i shqetëson disa zhvillues, të cilët druhen se njerëzit mund të mbështeten gjithnjë e më shumë te makinat për të menaxhuar emocionet.
Nga këtu vjen edhe metafora e autores: marrëdhëniet moderne mund të kthehen në një “treshe”, ku A.I. është gjithmonë e pranishme — duke ndihmuar në formulimin e mesazheve, këshilluar për konfliktet apo strukturuar mendimet. Kur makinat marrin këtë rol, aftësitë njerëzore për komunikim dhe intimitet rrezikojnë të dobësohen, sepse ato ndërtohen vetëm përmes praktikës reale.
Pavarësisht këtyre shqetësimeve, shumë zhvillues e shohin përparimin si të pashmangshëm. Edhe nëse një kompani ngadalëson ritmin, një tjetër do të ecë përpara. Ky besim, paralajmëron Miller, mund të kthehet në një profeci që vetërealizohet. Të tjerë e zhvendosin përgjegjësinë te përdoruesit, duke thënë se lidhja me chatbotët është zgjedhje personale, por autorja thekson se këto produkte janë projektuar pikërisht për të krijuar lidhje dhe për të mbajtur njerëzit të angazhuar.
Përballë kësaj, ajo propozon ndryshime konkrete. Chatbotët nuk duhet të sillen si njerëz apo të pretendojnë se dinё mbi emocionet; në momentet delikate duhet të nxisin kontaktin me njerëz realë, jo të ofrojnë përmirësime me pagesë; dhe bisedat duhet të mbyllen natyrshëm, pa mekanizma që i shtyjnë përdoruesit të vazhdojnë pafund.
Sa i përket të miturve, Miller kërkon masa më të forta mbrojtëse për të shmangur krijimin e lidhjeve të hershme me makinat. Për të rriturit, paralajmërimet duhet të jenë më të qarta dhe më serioze, duke reflektuar rreziqet reale të varësisë emocionale. Ajo thekson gjithashtu se përdoruesit mund të marrin kontrollin duke përcaktuar mënyrën si komunikojnë me A.I., duke i kërkuar asaj të mos jetë servile apo të mos ushqejë problematikat emocionale.
Në fund, autorja sheh një shpresë në vetë parehatinë që ndjen industria. Shumë zhvillues, kur ndalen të reflektojnë, e kuptojnë peshën e asaj që po ndërtojnë. Por reflektimi duhet të vijë përpara se lidhjet njerëzore të ridizenjohen nga teknologjia. Nëse nuk ndërhyhet me kujdes, paralajmëron ajo, mund të vijë një ditë kur konfidenti më i afërt i shumë njerëzve të mos jetë më një mik apo partner, por një program kompjuterik.
(Burimi: Amelia Miller, NYT)






