Një incident i rëndë sigurie është shënuar mbrëmjen e së premtes në Paris, pranë Harkut të Triumfit, ku një person i armatosur me thikë kërcënoi forcat e policisë. Ngjarja po hetohet nga autoritetet franceze si akt i mundshëm me motive terroriste.
Sipas mediave franceze, burri kishte telefonuar më herët një komisariat policie duke paralajmëruar se do të kryente një sulm në zonë dhe se kërkonte “hakmarrje për gratë dhe fëmijët e vrarë nga të pafetë”. Forcat e rendit e lokalizuan shpejt pranë monumentit, në një moment kur po zhvillohej ceremonia e përditshme e rindezjes së flakës në Varrin e Ushtarit të Panjohur.
I armatosur me thikë dhe gërshërë, ai tentoi fillimisht të sulmonte një efektive femër, por më pas u hodh mbi një xhandar tjetër. Sipas burimeve, jeta e oficerit u shpëtua falë uniformës mbrojtëse. Gjatë ndërhyrjes, policia hapi zjarr, duke e neutralizuar autorin, i cili u dërgua në spital në gjendje kritike dhe më vonë ndërroi jetë.
Autoritetet bëjnë me dije se i dyshuari ishte një person i njohur për policinë dhe ishte dënuar më parë me 17 vite burg. Ai ndodhej gjithashtu nën masa mbikëqyrjeje administrative, çka ka shtuar dyshimet se sulmi mund të ketë qenë i paramenduar.
Pas ngjarjes, zona e Place de l’Étoile u rrethua nga forca të shumta sigurie, u bllokuan hyrjet drejt monumentit, ndërsa disa linja transporti publik dhe stacione metroje u mbyllën përkohësisht.
Prokuroria Kombëtare Antiterroriste është vënë në dijeni dhe hetimet i janë besuar njësive speciale të policisë gjyqësore dhe shërbimeve të sigurisë së brendshme, të cilat po punojnë për të zbardhur motivet dhe rrethanat e plota të sulmit.

(Burimi: Le Figaro)






