Bota e shahut është tronditur nga një histori tragjike që po trazon komunitetin ndërkombëtar të sportit.
Federata Botërore e Shahut (FIDE) ka hapur një hetim ndaj ish-kampionit të botës Vladimir Kramnik, i akuzuar për ngacmim dhe bullizëm ndaj Daniel Naroditsky, një mjeshtër i madh amerikan që ndërroi jetë papritur në moshën 29-vjeçare.
Familja e Naroditskyt njoftoi për vdekjen e tij nëpërmjet Qendrës së Shahut në Charlotte, pa dhënë detaje për shkakun. Por ngjarjet që e paraprinë këtë tragjedi kanë ndezur debat të ashpër: për muaj me radhë, Kramnik kishte akuzuar publikisht Naroditskyn për mashtrim në ndeshje online, pa paraqitur prova konkrete.
Në transmetimin e tij të fundit në Twitch, Naroditsky kishte folur për ndikimin emocional që kishin pasur këto akuza mbi të: “Që nga historia me Kramnikun, ndihem sikur çdoherë që luaj mirë, njerëzit mendojnë më të keqen për mua,” tha ai me zë që i dridhej.
Kramnik, që mbajti titullin e kampionit botëror nga viti 2000 deri në 2007, ka mohuar çdo fajësi. Në një postim në rrjetin X, ai tha se shpreson që “e vërteta për rrethanat dhe shkakun e kësaj tragjedie të dalë në dritë, pavarësisht përpjekjeve për ta fshehur.”
Presidenti i FIDE-së, Arkady Dvorkovich, deklaroi për CNN se akuzat e Kramnikut ishin “të pamatura dhe të pabazuara,” duke theksuar se çështja i është kaluar Komisionit të Etikës për hetim të pavarur. “Çdo formë bullizmi apo ngacmimi është e papranueshme, veçanërisht në sport,” tha ai. Dvorkovich shtoi se çdo lloj ndëshkimi është i mundshëm, përfshirë edhe heqjen e titujve të Kramnikut në rast se vërtetohen shkeljet.
Reagimet në komunitetin e shahut kanë qenë të forta. Kampioni pesë herë botëror Magnus Carlsen e quajti sjelljen e Kramnikut “të tmerrshme”, ndërsa ylli amerikan Hikaru Nakamura e cilësoi “absurde dhe të çmendur” fushatën e tij kundër lojtarëve të tjerë.
Ndërkohë, Nemo Zhou i kërkoi FIDE-së në rrjetet sociale të heqë Kramnikun nga librat zyrtarë të federatës dhe t’i revokojë titullin e kampionit botëror. “Shahu është një lojë që duhet të mishërojë mirësi dhe respekt, jo urrejtje,” shkroi ajo.
Në një reagim për mediat ruse, Kramnik e quajti hetimin “të turpshëm dhe të padrejtë,” duke pretenduar se ai vetë po bëhej viktimë e një “fushate përndjekjeje”.
Naroditsky, një figurë e dashur për fansat e shahut online, kishte mbi gjysmë milioni ndjekës në YouTube dhe 340 mijë ndjekës në Twitter, si dhe shkruante për The New York Times. Ai ishte njohur për stilin e tij të qetë, edukativ dhe për përkushtimin në trajnimin e gjeneratës së re të shahistëve.
Dvorkovich e përshkroi atë si “një njeri të ndritur, komentator dhe edukator që u desh nga shumë njerëz.”
Tragjedia ka hapur një debat të gjerë mbi klimën toksike në komunitetin e shahut online, ku akuzat për mashtrim shpesh shpërndahen pa prova, duke shkaktuar dëme të mëdha psikologjike.
(Burimi: CNN)






