Në sezonin e fundit të serialit “Wednesday”, Jenna Ortega u shfaq në premierë me rrathё tё zinj nё sy, make-up të turbullt dhe buzë me nuanca vjollce – një pamje që duket sikur nuk ka fjetur gjithë natën. Kjo është pikërisht ideja e trendit më të ri të Gen Z, të quajtur “Tired Girl”. Në vend që të fshehin shenjat e lodhjes me korrektor e krem pudёr, të rinjtë po i theksojnë ato si formë vetë-shprehjeje dhe rebelimi kundër standardeve tradicionale të bukurisë.
Përveç Ortegas, shumë figura të njohura po e përqafojnë këtë trend. Në TikTok, videot se si realizohet grimi “i pagjumësisë” kanë marrë qindra mijëra shikime. Make-up artistët thonë se tualeti është qëllimisht i çrregullt, i errët dhe i papërpunuar – si një pasqyrё e realitetit të papërsosur.
Ekspertët theksojnë se ndonëse ngjan me stilin gotik ose me grunge-in e viteve ‘90, “Tired Girl” është më shumë një trend i përkohshëm internet. Ndryshe nga nënkulturat historike, ai nuk ka rrënjë shoqërore të thella, por vjen dhe ikën me ritmin e virales.
Ky trend konsiderohet një kundërvënie ndaj idealit të “clean girl” (bukuri perfekte dhe natyrale e kuruar), i promovuar nga modelet dhe influenceret kryesore vitet e fundit. Sipas ekipit të make-up-it të serialit “Wednesday”, qëllimi ishte të tregohej një vajzë që ka prioritete më të rëndësishme sesa grimi perfekt. “Tired Girl” shpreh moskokëçarjen, sinqeritetin dhe refuzimin e imazhit të filtruar.
Sociologët e lidhin suksesin e trendit me lodhjen e vërtetë emocionale dhe sociale të gjeneratës së re: presionet akademike, situatat ekonomike, ankthi për të ardhmen dhe kërkimi për autenticitet. Të shfaqësh dobësi, thonë ata, është bërë një mënyrë e re për të qeshur me realitetin e vështirë.
Edhe pse ka të ngjarë të zhduket po aq shpejt sa lindi, trendi “Tired Girl” flet shumë për kulturën e sotme: njerëzit janë lodhur nga perfeksioni dhe po zgjedhin të tregojnë vetveten ashtu siҫ janё – me gjithë lodhjen që kjo përfshin.






