Një mision që pritet të hyjë në histori po afrohet: për herë të parë pas më shumë se 50 vitesh, njerëzit do të rikthehen drejt Hënës. Por këtë herë, ekuipazhi nuk përfaqëson vetëm eksplorimin hapësinor, por edhe një epokë të re diversiteti.
Katër astronautët e misionit Artemis II do të jenë: Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen. Ata do të bëhen ekuipazhi i parë që udhëton drejt hapësirës së thellë që nga epoka e Apollo-s – por këtë herë me një simbolikë të fortë: gruaja e parë dhe personi i parë me ngjyrë që do të shkojnë në këtë lloj misioni, si dhe kanadezi i parë në një fluturim drejt Hënës.

Misioni 10-ditor, që pritet të nisë që në prill, do të përshkojë rreth 965 mijë kilometra dhe do t’i çojë astronautët përtej anës së errët të Hënës – më larg se çdo njeri më parë. Megjithatë, kjo aventurë mbart rreziqe të mëdha: nivele të larta rrezatimi, ndërprerje komunikimi me Tokën dhe përdorimi për herë të parë i anijes Orion dhe raketës Space Launch System, projekte që kanë kushtuar mbi 40 miliardë dollarë dhe ende kanë sfida teknike.
Vetë astronautët e pranojnë hapur rrezikun. “Është e mundur që të mos kemi komunikim me Tokën dhe të kemi probleme me anijen,” ka thënë Hansen, duke shtuar se ka diskutuar edhe me familjen për tё gjithё skenarët e mundshёm.
Megjithatë, përtej rrezikut, misioni përfaqëson një hap të madh drejt qëllimit final të NASA: dërgimin e njerëzve në Mars dhe krijimin e një pranie të përhershme në Hënë.
Komandanti i misionit, Reid Wiseman, një ish-pilot testues i marinës dhe astronaut me përvojë, ka kaluar më parë 165 ditë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Ai është gjithashtu baba i dy vajzave dhe ka treguar se para nisjes ka diskutuar me to edhe çështje të ndjeshme si dokumentet ligjore në rast se diçka shkon keq – një reflektim i qartë i rrezikut që mbart ky mision.

Piloti Victor Glover, i cili do të bëhet personi i parë me ngjyrë që udhëton në hapësirë të thellë, është një pilot testues me disa diploma master dhe përvojë në misione të mëparshme hapësinore. Ai njihet për qetësinë dhe përqendrimin e tij, duke theksuar se emocionet e tepërta mund të bëhen shpërqendruese në një mision të tillë.

Në qendër të vëmendjes është edhe Christina Koch, e cila do të bëhet gruaja e parë që udhëton drejt Hënës. Ajo mban rekordin për kohën më të gjatë të kaluar në hapësirë nga një grua – 328 ditë – dhe ka qenë pjesë e ecjes së parë hapësinore vetëm me gra. Koch ka treguar se gjithmonë është tërhequr nga ideja e universit dhe vendit të njeriut në të.

Ndërkohë, Jeremy Hansen do të bëhet kanadezi i parë që merr pjesë në një mision të tillë. Edhe pse pa eksperiencë të mëparshme në hapësirë, ai ka kaluar trajnime ekstreme si “aquanaut” dhe “cavenaut”, duke jetuar në mjedise të izoluara dhe të rrezikshme për t’u përgatitur për sfidat e hapësirës.

Ndryshe nga misionet Apollo, Artemis II nuk do të ulet në Hënë, por do të rrotullohet rreth saj për të testuar sistemet dhe për të hapur rrugën për misionin pasardhës, Artemis III, i cili synon uljen në polin jugor të Hënës – një zonë ende pak e eksploruar.
Ky mision shënon fillimin e një gare të re hapësinore, ku SHBA dhe partnerët e saj përballen me ambiciet në rritje të Kinës. Por mbi të gjitha, ai përfaqëson një moment historik për njerëzimin.
“Ky është hapi tjetër drejt Marsit,” është shprehur Glover – një deklaratë që përmbledh ambicien e madhe pas këtij udhëtimi: jo vetëm të shkojmë më larg, por të qëndrojmë atje.
(Burimi: CNN)






