Nga kontrasT.al
Pallati i Brigadave në Tiranë u bë sot skena ku u përsërit shfaqja e “Integrimit” me aktorë ballkanikë. Komisionerja e BE-së, Marta Kos, është regjisorja e “shfaqjeve teatrale” që jepen herë pas here nëpër kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe në Bruksel.
Edi Rama, shqiptari, një prej “Star”-ёve të këtij kasti prej Ballkani, sot kishte një episod të vështirë për interpretim, pasi teksti i kishte ardhur vetëm 24 orët e fundit për ta mësuar. Nuk kishte vetëm rolin e “dollibashit ballkanik” që do fliste “për planin e rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian”, por edhe për pezullimin nga detyra të zëvendëses së tij, Belinda Balluku.
Asnjë nuk e kishte mendjen te aktiviteti dhe “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor”, as liderët e ftuar, as media, as vetë kryeministri Rama, derisa erdhi momenti i Konferencës së përbashkët për shtyp.
Me një përmbajtje që shtypte me pahir ndjesitë shpërthyese, kryeministri shqiptar doli krah “regjisores” Kos dhe përballë gjithë shqiptarëve, të cilët kanë një ditë dhe natë që pyesin njëri-tjetrin, por jo vetë Edi Ramën: Po tani?!
Komisionerja Marta Kos nuk pranoi të komentojë vendimin e GJKKO-sё për pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke u mjaftuar se “këto çështje i takojnë drejtësisë”, por komisionerja habiti edhe vetë kryeministrin, kur tha për zgjedhjet e majit se ishin “të lira dhe të ndershme”. Më pas ajo u tërhoq në cepin perëndimor të konferencës, për të dëgjuar ç’do thoshte Rama, ndryshe apo njëlloj sa kishin biseduar në mbrëmje.
Ndërkohë që kryeministri fliste për rastin “Balluku”, salla tendosej të përpinte çdo fjalë apo gjestikulacion të tij: mediat, sy e veshë shënonin; me kufje të shqetësuar qëndronin Marta Kos dhe ambasadori Gonzato, të hutuar; me sy të “çakorduar” gjithë ankth – e ndiqnin bashkëpunëtorët e afërt të tij.
Dy ishin kolonat e qëndrimit: do respektojmë vendimin e pezullimit; do kërkojmë mbrojtjen e funksionimit të cenuar të qeverisë në Gjykatën Kushtetuese.
Mbi dy kolonat, kryeministri lëshoi një retorikë të përmbajtur kundërthënëse “pro” dhe “anti” SPAK, “pro” dhe “anti” GJKKO, “pro” dhe “anti” drejtësisë së re në Shqipëri.
Ndërsa theksoi se do të respektojë vendimin e pezullimit të ministres, ai u kujdes të thotë se nuk do angazhohet në betejë politike dhe retorike me drejtësinë, por njëkohësisht sulmoi me një shembull retorik: “Nuk bën vaki në BE që njerëzit të pezullohen nga funksionet. Është unike në historinë e Europës… Nuk bën vaki!”
Ndërsa tha se mbrojtja e pavarësisë së re dhe jo të përkohshme është prioriteti absolut duke theksuar “Sa të jem unë këtu, nuk do të shihni luftëra me drejtësinë apo akuza ndaj saj”, nxitoi të shtojë: “Por ka një kufi, kufirin kushtetues mes pushteteve të pavarura, dhe nëse lejojmë shkeljen e tij, kemi humbur diçka themelore për rendin kushtetues të republikës.”
Natyrisht që kryeministri, ndaj çdo aludimi të skeptikëve që shohin me dyshim përbetimin e tij për drejtësinë e re, edhe pse e quajti pa traditë dhe kulturë juridike, ndërsa prokurorët me gjyqtarët specialë si bebe që duhen ruajtur dhe jo hedhur bashkë me ujin e ndotur ndërsa pastrohen, ka përgjigjen që dha po sot: “Do të kërkojmë mbrojtjen e funksionimit të cenuar të qeverisë vetëm te drejtësia, në Gjykatën Kushtetuese. Këta jemi ne.”
Ai la të kuptohet se beteja për “Ballukun” do vazhdojë në Gjykatën Kushtetuese për rikthimin e saj dhe të legjitimitetit qeveritar, pavarësisht se pezullimi nga detyra i saj do respektohet.
Kryeministri la gjithashtu të nënkuptuar se zëvendësimi i ministres dhe zëvendëskryeministres Balluku me një tjetër, nuk do bëhet – kur u pyet për emrin që do e zëvendësojë.
A e dorëzoi apo ia morën Ramës – Ballukun? – përsëri mbetet pyetje pa përgjigje të qartë.
A ka në dorë ta mbajë nëse s’do që ta dorëzojë? – mund të jetë një pyetje tjetër që mbështet paqartësinë e të parës.
Ndër tre zëvendëskryeministra, ku dy prej tyre ia “hëngri” SPAK, ndërsa njërin pakënaqësia e vet, Edi Rama duhet të bëjë një bilanc para se t’i futet luftës së re për drejtësi kushtetuese.
Në bilanc duhet të futen me dhjetëra vendimet qeveritare, të marra në mungesë e me porosi të tij; sa janë të realizuara, sa të suksesshme dhe sa të hetuara. Në ato akte mund të gjendet e “vërteta kushtetuese”, pa ia lënë këtë mundësi SPAK-ut, t’i hulumtojë me logjikën foshnjarake e t’i rrjedhë më pas hetimet në “mexhelisin” mediatik.
Është e vërtetë, nuk ka një rast të vetëm në Europë ku zëvendëskryeministri në detyrë pezullohet nga gjykata, nuk lejohet të futet në zyrën e lartë të qeverisë. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë, sepse nga ana tjetër në Europë nuk ka një rast të vetëm, që rrugët dhe tunelet të ndërtohen me zhargon popullor, “palloshёsh”. Kjo nuk bën vaki!
© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






