Një imazh i fuqishëm ka ndriçuar qiellin e Nju Jorkut në prag të 25-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit. Plot 2,977 dronë të ndriçuar u ngritën mbi portin e qytetit për të rikrijuar në përmasa reale siluetën e Kullave Binjake të World Trade Center.
Numri i dronëve nuk ishte i rastësishëm. Secili prej 2,977 dronëve simbolizonte një prej jetëve të humbura në sulmet e 11 shtatorit 2001.
Instalacioni, i titulluar “2,977 Lights Over New York Harbor”, u realizua më 9 shtator me kontributin e studios së dizajnit Drift dhe arkitektit të njohur japonez Shigeru Ban, nën drejtimin kreativ të Addison Mehr.
Kullat prej drite u shfaqën dy herë, nga 15 minuta. Pasi u vendosën në formacion, mijëra dronët qëndruan pezull mbi port, duke krijuar për disa minuta pamjen e dy ndërtesave që dikur përcaktonin horizontin e Manhattanit.
Ideja ishte që teknologjia e sotme të përdorej si një mënyrë e re për të ruajtur kujtesën e së kaluarës.
“Nuk mund të mendonim për një përdorim më domethënës të teknologjisë, për të mos harruar kurrë të shkuarën”, u shpreh Studio Drift.
Instalacioni u konceptua në bashkëpunim edhe me përfaqësues të familjeve të viktimave, të mbijetuarve dhe punonjësve të emergjencës.
Sot bëhen 25 vjet nga sulmet që ndryshuan Shtetet e Bashkuara dhe botën, kur avionët e rrëmbyer goditën Kullat Binjake në Nju Jork. Një çerek shekulli më vonë, silueta e tyre u kthye për pak minuta mbi qytet – këtë herë e ndërtuar vetëm me dritë.

Burimi: Dezeen






