Danimarka, një prej vendeve më të digjitalizuara në Europë, është përballur me një incident që tregon se sa e brishtë mund të bëhet siguria e të dhënave edhe në sistemet më të avancuara.
Autoritetet daneze kanë konfirmuar se të dhënat personale të rreth 8.8 milionë personave janë komprometuar pas aksesit të paautorizuar në regjistrin kombëtar CPR. Mes tyre janë emrat, adresat dhe numrat personalë të identifikimit. Numri është më i madh se popullsia aktuale e Danimarkës, pasi regjistri përmban edhe të dhëna të personave që kanë emigruar apo kanë ndërruar jetë.
Por ajo që e bën historinë edhe më shqetësuese është mënyra se si dyshohet se është realizuar ndërhyrja.
Sipas gjetjeve të para të autoriteteve daneze, hakerët nuk e kanë thyer drejtpërdrejt sistemin. Ata kanë përdorur kredencialet e ligjshme të një kompanie vendase që kishte akses në regjistër. Mënyra e aksesit është bllokuar, ndërsa autoritetet po hetojnë përmasat e plota të incidentit dhe personat që qëndrojnë pas tij.
Historia e Danimarkës duhet të tingëllojë familjare edhe për Shqipërinë.
Shqipëria e ka zhvendosur me shpejtësi administratën drejt shërbimeve elektronike, duke grumbulluar dhe ndërlidhur gjithnjë e më shumë të dhëna të qytetarëve, ndёrkohё qё ka tenderuar me qindra shёrbime mirёmbajtjeje tё sistemeve qё janё nё duar tё shoqёrive private.
Rasti danez ngre kështu një pyetje që për Shqipërinë nuk është më teorike: jo vetëm sa të sigurta janë sistemet tona, por kush ka akses në to?
Sa institucione, kompani private, kontraktorë apo punonjës mund të hyjnë në databaza që përmbajnë informacionin e qytetarëve? A regjistrohet dhe kontrollohet çdo akses? A mund të konstatohet menjëherë kur dikush që ka një “çelës” të ligjshëm nis ta përdorë atë në mënyrë të pazakontë?
Danimarka sapo tregoi se edhe një sistem i sofistikuar mund të ekspozojë miliona njerëz pa qenë nevoja që dikush të shembë murin e tij mbrojtës. Ndonjëherë mjafton të bjerë në duart e gabuara një çelës i vërtetë.
Kurse nё Shqipёri nuk dihet sa çelësa ekzistojnë për të hapur jetën digjitale të një qytetari dhe kush kontrollon se në duart e kujt ndodhen.






