Nga Gelanda Shkurtaj
In dubio pro reo- Prezumi mi i pafajësisë nuk është vetëm një parim i sanksionuar në Kushtetutën e shtetit, apo në zgjatimet e saj paralele, siç është Kodi Penal. Që në risi ky parim është shkruar në pergamenë mbi citatin latin “in dubio pro reo” ku, në paqartësi të fakteve, gjykimi duhet të orientohet në favor të të akuzuarit. Kjo, për të mbrojtur individin nga arbitri i shtetit, kur ky i fundit shfaqet me sovranin e tij, sistemin gjyqësor. Në përputhje të tij, një vrasës apo një hajdut nuk konsiderohet fajtor, madje edhe kur krimi dhe dora që e kryejnë janë flagrante nën dritën e diellit. Barrën për të provuar fajësinë e ka mbi shpinë organi “onus probandi incumbit ei qui dicit”, ose subjekti që akuzon se aksh individ është fajtor. Kodet modernë, dalë nga mesjeta ku fajësia damkosej vetëm nga flagranca, dhe ku fajtori paçka fajësisë denigrohej fizikisht e përçudnohej moralisht, u orientuan drejt rishoqërizimit dhe jo drejt ndëshkueshmërisë.
Vetëm kur gjykata e fundit jep verdiktin, atëherë ligjërisht ato dhe shoqëria kriminelin mund ta konsiderojnë si të këtillë. Derimë atëherë, ai quhet i pandehur, pale se drejtësia edhe mund të ketë gabuar, apo vetë subjekti është një viktimë e saj. Në ndryshim nga ky parim, cipa e paturpësisë nuk ka një nen të veçantë as në kod e as në citate latine, por në ato që quhen doket morale të një shoqërie, e që e mbajnë atë të lidhur nga kreu te fundi. Në fakt, pamundësia për ta lëçitur në ndonjë burim ligjor fjalën cipë-paturpësie bën që ajo më shumë sesa një idiomë proverbiale, të mëtojë një sjellje apo qëndrim shoqëror. Indirekt ajo personifikon atë që do të prekte idilin e drejtësisë, domethënë shprehjen e besimit tek qasja e patjetërsueshme, publike dhe politike, ndaj të turpshmes. Çjerrja e kësaj cipe, tërthorazi metaforizon, kalimin e pragut të asaj sjellje njerëzore, e cila jo vetëm bie ndesh me moralin, por është edhe shumë banale për ta shkatërruar paq. Aq më keq paraqitet cipa e paturpësisë, në mësallën e dyfishtë, denigruese në njërën faqe, dhe profane në tjetrën, saqë ç’orienton traditën drejt asaj që quhet fyerje e budallallëkut, sidomos në ato shoqëri ku intelekti dhe inteligjenca kanë humbur çdo nocion apo konotacion, edhe pragmatik.
Politika dhe ligji
Që nga kodi i Hammurab-it, Tora’ e deri tek Konfuncionizmi, filozofia e së drejtës mëson se ligjet lindën me iluzionin e paarritur të njeriut për të pasur një shoqëri egalitariane dhe pragmatizmin e qeverive për të kontrolluar plebe-t. Përtej natyrës empirike, ligjet konservojnë normat morale dhe mbrojnë keqpërdorimin e tyre. Nga kjo limfë njeriu ka krijuar vetë ligjet, për të mbrojtur këto vlera të ndërtuara sipas mentalitetit të tij. Enigma filozofike se cila është e drejta për njeriun, mbetet ende. Përgjigja më e pranuar e sheh të drejtën në atë çfarë shoqëria ka futur brenda normave morale të saj. Ndaj, në pamundësinë e pasjes përherë dhe kudo të të njëjtit moral, sepse njeriu ndryshon, madje ndonjëherë në regres, demokracitë e konsoliduara nuk janë munduar të ndryshojnë të drejtën si koncept. Shtyllat morale i kanë lënë të paprekshme brenda ligjeve, por kufizojnë dorën e sovranit, për të vënë diktatin dhe supremacinë që i volitet, në emër të së drejtës, nëpërmjet ligjit. Gjermania nuk e quan Kushtetutë, por Ligjin Bazik në brendësi të së cilit ka sanksionuar të paprekshëm dinjitetin njerëzor, e ku shanset për ta ndryshuar këtë ligj janë po aq sa rikthimi i Hitlerit në jetë. Demokracitë vulnerabël, si toka e papremtuar e albanëve, ligjet nuk i njohin si kufij të ndalesës, të paktën për të mos prekur cipën e paturpësisë, por si mjete për të legjitimuar interesin, kinse të shitura si norma, edhe kur ato janë në përdhosje të pastër të së drejtës, dhe kryekëput të turpshme.
Cipa e paturpësisë shtetërore në përdorimin e ligjit shfaqet në të dyja format, edhe kur shkel moralin duke manipuluar ligjin për pasurim të vetes ose grupimit, edhe atëherë kur pyet ku është morali për të futur fukarain në burg, dhe për të lënë jashtë qeveritarin e nginjur, të dy akuzuar për të njëjtën vepër penale. Në të dyja rastet sundimi i ligjit është i rrezikshëm, me ndryshimin e vetëm se në rastin e parë fizikisht viktima është një, ndërkohë potencialisht e gjithë shoqëria është viktimë. Në rastin e dytë, viktimë mbetet vetëm shoqëria, por tanimë e mbarsur me enigmën profetike të vjedh a të mos vjedh për të mbijetuar, ajo deliron: të shkel ligjin pak dhe të përfundojë i vetëvrarë në qeli?, apo ta shkel ligjin shumë, ku për tri ditë çudi dhe njëqind analistë në kërkim të gurit në lum, legjitimoj milionat e vjedhur dhe rrezikoj fare pak, ose aspak burg?. Rebusi social mbetet nëse, kur politikës i çahet cipa, bën sikur s’di, apo nuk di, apo s’do t’ia dije nëse njerëzit e dinë. Zgjidhja ndan turpin nga morali dhe frikën nga frikësimi, ku në role janë shteti, shoqëria dhe individi. Bashkëjetesa joantagoniste e tyre, shpesh është tregues i simbiozës morale.
Prezumimi i pafajësisë vs cipa e paturpësisë
Respektimi i moralit në drejtësi mbahet nga dy aktorë dhe dy faktorë. Politika si garantuese e parimeve dhe prokurorët, gjyqtarët, avokatët, noterët e përmbaruesit, janë aktorët që e mbajnë funksional sistemin. Morali i tyre qëndron në zbatimin korrekt të ligjit dhe çdo devjancë nga parimi, ose keqinterpretimi apo më tepër akoma keqpërdorimi, janë përgjegjësi direkte e këtyre aktorëve. Prokurori dhe gjyqtari kur përdor procedurën gabim tek fajtori, gabon edhe më rëndë se përdorimi gabim tek i pafajshmi, sepse nëse fajtori del fitimtar për procedurë të gabuar, i ndershmi është ndëshkuar dyfish, pasi de facto vuan dënimin, dhe moralisht vuan padrejtësinë se pikërisht ai shtet që duhet ta mbrojë, e abandonon. Kjo është emblema gordiane e ligjit, kur thuhet se “ai duhet të jetë i barabartë për të gjithë”.
Një prokuror partiak që kërkon burg për një fakir që vjedh dritat, dhe nxjerrë në arrest shtëpie miliarderin politikan për rrahje të zemrës, ka prezumuar në shkelje të ligjit, fajësinë e fukarait dhe ndershmërinë e hajdutit. Faktorët që kontrollojnë moralin e aktorëve të drejtësisë, institucionet llogaridhënëse dhe njerëzit e zakonshëm, janë po aq të ngërthyer në këtë rreth pa dalje. Vënia e sistemit të drejtësisë, në rolin e levës së propagandës partiake, ka çuar dhe do të çojë pashmangërisht në rënien e besimit. Raprezaljet dhe terrori gjyqësor, në tejkalim të kompetencave procedurale, edhe në raste të pastra korruptive, ku në burg shkon specialisti i ministrisë për firmë, ndërkohë ministri gëzon paratë, nuk çojnë në luftë ndaj kriminalitetit, por në dilemën depresive të çdo qytetari të ndershëm, nëse ia vlen të jetosh nën një sistem të tillë.
Apatia e demokracisë dhe revanshi abuziv i sovranit mund të aludojnë sanksionimin e antivlerës me ligj. Kështu, ndofta pas kohe mund të shohim vrasjen të përkufizuar si “ringjallje e shpirtit”, përdhunimin si “dëshirë për marrëdhënieve të dhunshme”, grushtin si “përkëdhelje”, sharjen si “përgëzim”. E deri në një kohë të ardhshme, prezumimi i pafajësisë do privilegjojë paranë, pasi faktorët dhe aktorët nuk do të shqetësohen që të paktën ai të mos prekë cipën e paturpësisë. Nëse binomi mbetet i palëkundur që morali mban ligjin e ligji duhet të ruajë moralin, mesa duket ky i fundit funksionin e tij e kryen më së miri, ndërkohë enigma kafshon bishtin kur pyet, cili është morali që udhëheq ligjin?
(Burimi: Marrё nga Gazeta Panorama)






