Piloti finlandez i garave, Juha Miettinen, ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë me disa makina gjatë kualifikueseve të garës 24-orëshe në Nürburgring, në Gjermani.
Incidenti ndodhi në fillim të garës dhe përfshiu shtatë pilotë. Organizatorët ndërhynë menjëherë duke ndalur garën, ndërsa ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje në kohë të shkurtër.

66-vjeçari Miettinen u nxor nga automjeti dhe u dërgua në qendrën mjekësore, por pavarësisht përpjekjeve për ta rikthyer në jetë, ai nuk mundi të mbijetonte.
Gjashtë pilotët e tjerë të përfshirë në përplasje u transportuan në spital për kontrolle dhe trajtim. Sipas organizatorëve, asnjë prej tyre nuk ndodhet në rrezik për jetën.
Ngjarja ka tronditur komunitetin e sporteve motorike. Katër herë kampioni i Formula 1, Max Verstappen, reagoi në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen për humbjen.
“Sportet motorike janë diçka që të gjithë e duam, por momente të tilla na kujtojnë sa të rrezikshme mund të jenë. Ngushëllimet e mia për familjen dhe të afërmit e Juhas,” shkroi ai.
Si pasojë e aksidentit, gara nuk rifilloi të shtunën, ndërsa organizatorët njoftuan se aktiviteti do të vazhdojë të dielën, i paraprirë nga një minutë heshtje në nder të pilotit të ndjerë.






