Përplasja mes Donald Trump dhe Papa Leos ka filluar të krijojë përçarje edhe brenda kampit republikan. Senatori i Luizianës, John Kennedy, një mbështetës i hershëm i Trump, ka dalë hapur kundër retorikës së presidentit ndaj kreut të Kishës Katolike.
Në një intervistë për Fox News, Kennedy përdori një shprehje të pazakontë për të përshkruar raportin e tij me Trump: “E dua presidentin si një tako. Nuk jam gjithmonë dakord me të, por besoj se ai do një botë më të mirë.”
Megjithatë, ai u distancua qartë nga përplasja me Papën: “Nuk jam dakord me këtë luftë të re të shenjtë me Papën. Pse duam të grindemi me të? Është një shpërqendrim.”
Komenti i tij vjen në një moment tensioni të shtuar mes Shtëpisë së Bardhë dhe Vatikanit, i lidhur kryesisht me luftën SHBA-Izrael kundër Iranit. Papa Leo ka kritikuar ashpër retorikën dhe veprimet ushtarake, duke i cilësuar disa deklarata të Trump si “të papranueshme” dhe duke theksuar se sulmet ndaj infrastrukturës civile bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, Trump i është kundërpërgjigjur duke e quajtur Papën “të dobët ndaj krimit” dhe “të gabuar në politikën e jashtme”, ndërsa ka shtuar se nuk dëshiron një Papë që toleron një Iran me armë bërthamore.
Senatori Kennedy, i cili është metodist, theksoi se ka “respekt të madh për katolicizmin” dhe se Papa duhet të ketë të drejtën e mendimit të tij. Ai ironizoi gjithashtu mënyrën si media po e trajton këtë konflikt, duke thënë se “shtypi po e thith si një fshesë me korrent”.
Zëvendëspresidenti JD Vance ka mbrojtur Trumpin, duke theksuar se presidenti duhet të fokusohet te politikat publike, ndërsa çështjet e Kishës i përkasin vetë komunitetit fetar.
Nga ana e tij, Papa Leo ka zgjedhur të mos përshkallëzojë përplasjen, duke deklaruar se nuk kërkon një debat të ashpër me Trumpin, por duke theksuar se nuk ka “asnjë frikë” nga administrata amerikane.






