Italia ka thirrur ambasadorin rus në Romë për të protestuar zyrtarisht pas një sulmi verbal të ashpër ndaj kryeministres Giorgia Meloni në një televizion rus.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, njoftoi se ambasadori Alexey Paramonov është thirrur në ministri për të shprehur reagimin ndaj deklaratave që i cilësoi “jashtëzakonisht të rënda dhe fyese”.
Sipas mediave italiane, prezantuesi rus Vladimir Solovyov e quajti Melonin nё gjuhёn italiane, në transmetim të drejtpërdrejtë, “turp për njerëzimin”, “bishë të egër”, “idiote të certifikuar” dhe “grua të neveritshme”. Më pas, në rusisht, ai e përshkroi si “krijesë fashiste që ka tradhtuar votuesit” dhe madje edhe ish-aleatin e saj politik, Donald Trump.
Reagimi në Itali ka qenë i menjëhershëm dhe i gjerë, me dënime që kanë ardhur nga i gjithë spektri politik, përfshirë edhe opozitën.
Vetë Meloni reagoi duke theksuar se sulme të tilla nuk do të ndikojnë në kursin politik të qeverisë së saj. “Busulla jonë mbetet një: interesi i Italisë. Dhe do ta ndjekim me krenari, pavarësisht propagandës,” shkroi ajo.
Marrëdhëniet mes Italisë dhe Rusisë janë tashmë të tensionuara, kryesisht për shkak të mbështetjes së fortë të Romës për Ukrainën. Episodi i fundit pritet të thellojë më tej përplasjet diplomatike mes dy vendeve.
(Burimi: France 24, AFP)





