Ka një bukuri të rrallë në mënyrën si institucionet shqiptare flasin për Evropën: gjithmonë në kohën e ardhme, gjithmonë në mënyrën dëshirore, dhe pothuajse kurrë në mënyrën dëftore apo detyruese. “Kokteili” i fundit i Gjykatës Kushtetuese u servir në Berat – një qytet që ka parë perandori të lindin e të bien pa u shqetësuar shumë për “koherencën e standardeve”.
“Margarita” e lehtë e kësaj here ishte “Zhvillimi i praktikës kushtetuese në përputhje me standardet evropiane”, me pak alkool, që shijonte si një premtim solemn. Një lloj betimi laik përpara altarit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Por, si çdo betim solemn i pambajtur në vendin e “besës”, problemi nuk është tek fjala por tek kujtesa. Sepse kujtesa jonë institucionale ka një cilësi të çuditshme: ajo funksionon në mënyrë selektive, si një bibliotekë ku librat e rëndësishëm janë gjithmonë “në restaurim”.
Në Berat, gjyqtarët flasin për “ndërveprimin ndërmjet normës kushtetuese dhe jurisprudencës së Strasburgut”. Një formulim i bukur, i rrumbullakët, thuajse poetik. Por ndërveprimi, në praktikën shqiptare, i ngjan më shumë një monologu të lodhur sesa një dialogu juridik. Strasburgu flet. Tirana dëgjon. Pastaj Tirana bën sikur nuk ka dëgjuar mirë dhe Strasburgu flet përsëri pa u lodhur, me Tiranën që shpesh bën turizëm kushtetues në Berat.
Ironia qëndron në faktin se nuk kemi mungesë standardesh evropiane, madje kemi një tepricë të tyre – në letër. Problemi është se këto standarde trajtohen si dekor, jo si instrument. Si një pikturë e varur në mur, jo si një hartë për të orientuar vendimmarrjen.
Shihni të drejtën kushtetuese për informim!
Neni 23, pika 1 e Kushtetutës lexon: E drejta e informimit është e garantuar.
Ndërsa neni 32 “Funksioni i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë”, pika 4 e Rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e administratës së Gjykatës Kushtetuese”, thotë: “Ata që marrin pjesë në gjykim nuk përfitojnë nga e drejta për t’u njohur me aktet e ndërmjetme, ku përfshihen: aktet ose materialet e përgatitura nga këshilltari ose strukturat e tjera për qëllime të vendimmarrjes; shënimet e relatorit; projektvendimet; procesverbalet e vendimmarrjes dhe të votimit të gjyqtarëve.”
Pse… ç’hall kanë që s’duan të lexohen ato letra?
Kujt i ruhet Gjykata Kushtetuese në mosdhënie informacioni?
Për më tepër, cila prej dy rregulloreve duhet zbatuar në rastin e kërkesave kushtetuese për informim?
Në fjalimet e Beratit përmendet “koherenca”. Një fjalë e madhe, që kërkon një virtyt të vogël: qëndrueshmërinë. Jurisprudenca kushtetuese shqiptare nuk e ka këtë virtyt. Ajo më tepër ngjason me një roman të shkalafitur nga dora e shumë autorëve që kanë testuar dorën me pasazhe mbi të. Një vendim i sotëm përgënjeshtron një vendim të djeshëm, pa u shqetësuar për kujtesën e atij që lexon – palëve.
Ndërkohë, Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian, me durim burokratik, vazhdojnë të financojnë projekte si D-REX III. Një akronim që tingëllon më shumë si një ilaç për sëmundje kronike: virusi i moszbatimit.
Në këtë “Berat” institucional, “identifikimi i fushave që kërkojnë reflektim të mëtejshëm jurisprudencial” është ndoshta fraza më e sinqertë. Sepse ajo pranon, pa e thënë troç, se problemi nuk është i ri. Është një problem i trashëguar, i kultivuar dhe – mbi të gjitha – i toleruar.
Dhe Shqipëria megjithatë, vazhdon mëson e nuk lodhet, si një nxënëse këmbëngulëse dhe e përpiktë: ajo i mëson me zell e përmendësh standardet evropiane, vetëm që të mos i përdorë dhe të mos i zbatojë asnjëherë ato.
Si kësaj here në qytetin piktoresk të Beratit…
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





