Vendi ku Beatles performuan për herë të fundit drejtpërdrejt në vitin 1969 do të shndërrohet në muzeun e parë zyrtar të grupit legjendar britanik. Lajmi u konfirmua nga dy anëtarët e mbijetuar të “Fab Four”, Paul McCartney dhe Ringo Starr, të cilët e quajtën projektin një rikthim emocional në historinë e tyre.
Muzeu i ri do të hapet vitin e ardhshëm në adresën ikonike 3 Savile Row në Londër, ndërtesa që shërbeu si baza e Beatles mes viteve 1968 dhe 1972. Pikërisht aty u regjistrua albumi i tyre i fundit “Let It Be” dhe në çatinë e saj u zhvillua koncerti i famshëm lamtumirës i 30 janarit 1969 — performanca e fundit live e John Lennon, Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr së bashku.
“Turistët vijnë në Angli dhe shohin Abbey Road nga jashtë, por nuk mund të hyjnë. Ndaj ideja e këtij muzeu është fantastike”, tha McCartney për BBC, duke shtuar se mezi pret ta shohë projektin të realizuar.
“Ishte emocionuese të rikthehesha në Savile Row dhe të shihja përsëri ato ambiente. Këto mure mbajnë kujtime të jashtëzakonshme, pa përmendur çatinë”, u shpreh ai.
Për Ringo Starr, vizita në godinë ishte “si të kthehesha në shtëpi”.
Muzeu, që do të quhet “The Beatles at 3 Savile Row”, do të shtrihet në shtatë kate dhe do të përfshijë materiale të papublikuara më parë nga arkivat e grupit, ekspozita të përkohshme, një studio regjistrimi të rindërtuar dhe një dyqan me produkte zyrtare të Apple Corps — kompania historike e Beatles.
Vizitorët do të kenë gjithashtu mundësinë të ngjiten në çatinë e famshme ku grupi dha performancën e fundit live, me pamje panoramike mbi Londër.
“Hyn në katin përdhes, sheh objekte historike, pastaj ngjitesh kat pas kati duke ndjekur historinë e Beatles derisa arrin në çati dhe për një moment pretendon se je vetë një Beatle”, shpjegoi McCartney.
Edhe pse Liverpooli, qyteti i lindjes së grupit, ka prej vitesh muze kushtuar Beatles, asnjëri prej tyre nuk mban vulën zyrtare të Apple Corps. Për këtë arsye, muzeu i parë zyrtar vendosi të ngrihet në Londër — qyteti që shënoi kulmin e historisë së tyre muzikore.
Ndërkohë, Paul McCartney dhe Ringo Starr vijojnë ende aktivitetin artistik. Albumi i ri i Ringos, “Long Long Road”, doli muajin e kaluar dhe arriti vendin e dytë në klasifikimet britanike country, ndërsa McCartney pritet të publikojë më 29 maj albumin “The Boys of Dungeon Lane”. Dy legjendat publikuan gjithashtu më 8 maj këngën “Home to Us”, duetin e tyre të parë pas shumë vitesh.






