Neymar rikthehet te Brazili dhe lajmi ka ndezur entuziazmin në të gjithë vendin. Carlo Ancelotti ka vendosur të përfshijë yllin 34-vjeçar në listën e 26 lojtarëve të grumbulluar për Botërorin 2026, duke i dhënë fund më shumë se dy viteve mungesë të sulmuesit nga kombëtarja.
Kur trajneri italian lexoi emrin e Neymar gjatë prezantimit të skuadrës në Rio de Janeiro, ai mori duartrokitjet dhe reagimet më të forta nga tifozët brazilianë, që prej muajsh diskutonin nëse legjenda e Seleçaos do të ishte apo jo pjesë e Kupës së Botës.
Neymar nuk kishte luajtur me Brazilin që prej tetorit 2023, pas një dëmtimi të rëndë në ligamentet e gjurit. Problemet fizike, eksperienca zhgënjyese te Al Hilal në Arabinë Saudite dhe rikthimi jo bindës te Santos kishin ngritur shumë pikëpyetje mbi formën e tij.
Megjithatë, Ancelotti vendosi t’i besojë eksperiencës dhe peshës së Neymar në skuadër.
“E kemi ndjekur gjatë gjithë vitit dhe kemi parë përmirësim në gjendjen fizike. Neymar mbetet një lojtar me eksperiencë dhe me rëndësi për grupin”, deklaroi tekniku italian.
Përzgjedhja e tij ka shkaktuar debat në Brazil. Shumë analistë dyshojnë nëse trupi i Neymar mund të përballojë ritmin intensiv të një Botërori të zgjeruar, ndërsa të tjerë besojnë se prezenca e tij mund të jetë vendimtare për objektivin e madh: titullin e gjashtë botëror.
Mbështetja nga tifozët dhe ish-lojtarët ka qenë e jashtëzakonshme. Ish-mbrojtësi Marcelo publikoi një video emocionuese në rrjetet sociale sapo u konfirmua emri i Neymar, ndërsa Raphinha deklaroi se “ai është njeriu që mund ta çojë Brazilin te titulli i gjashtë”.
Kapiteni Marquinhos kishte bërë gjithashtu presion publik për rikthimin e tij, duke thënë: “Si brazilianë dhe si tifozë, ne e duam Neymar në Botëror”.
Ky do të jetë Botërori i katërt në karrierën e Neymar, pas Brazil 2014, Rusi 2018 dhe Katar 2022. Në 13 ndeshje të Kupës së Botës ai ka realizuar 8 gola dhe 4 asiste.
Neymar mban gjithashtu rekordin historik si golashënuesi më i mirë i Brazilit me 79 gola, duke kaluar legjendën Pele.
Megjithatë, gjithçka të çon te ideja se ky mund të jetë “vallëzimi i fundit” i yllit brazilian me fanellën verdheblu në një Botëror, pasi në vitin 2030 ai do të jetë 38 vjeç.
Në sezonin aktual me Santos, Neymar ka shënuar 4 gola dhe ka dhënë 2 asiste pas rikthimit nga operacioni, shifra larg versionit të dikurshëm spektakolar që fitoi Champions League me Barcelonën dhe dominoi futbollin francez me PSG.





