Një vendim i firmosur nga rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, ka trazuar Fakultetin e Drejtësisë dhe garën për përfaqësimin në institucionet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë.
Me vendimin nr. 110, datë 20.05.2026, tё Rektorit tё UT, Artan Hoxha, dekania e Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha, pezullohet përkohësisht nga ushtrimi i funksionit të saj, pasi ka shprehur interesin për të kandiduar si anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në vend të saj, rektori ka caktuar profesor Skënder Kaçupin për të ushtruar funksionet e dekanit deri në përfundim të procedurës së zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së nga Kuvendi.
Në vendim thuhet se masa është marrë për të garantuar paanshmërinë institucionale dhe shmangien e konfliktit të interesit gjatë procesit të përzgjedhjes.
Dorina Hoxha nuk kandidonte si një pedagoge e zakonshme. Ajo hynte në këtë garë si dekane e Fakultetit të Drejtësisë, institucioni më i rëndësishëm juridik në vend dhe një nga qendrat kryesore të ndikimit akademik dhe prurjeve pёr në procesin e përzgjedhjes së emrave për KLGJ dhe KLP.
Prej javësh, në ambientet universitare flitej hapur për lëvizje intensive, takime dhe kontakte në funksion të mbledhjes së mbështetjes për kandidimin e saj. Në një situatë të tillë, drejtimi i fakultetit dhe vetë pozicioni i dekanes krijonin një avantazh të dukshëm ndaj kandidatëve të tjerë që futen në garë vetëm si pjesë e personelit akademik.
Ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë e parashikon kandidimin nga radhët e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë, jo si garë mes drejtuesve institucionalë. Pikërisht për këtë arsye, pezullimi i Dorina Hoxhës nga funksioni i dekanes duket si një mënyrë për ta futur procesin në një terren më të barabartë.
Vendimi i Artan Hoxhës nuk erdhi në një moment neutral. Ai vjen në një periudhë kur beteja për kontrollin dhe ndikimin në KLGJ dhe KLP është bërë një nga luftërat më të forta të sistemit të drejtësisë qё zhvillohet nёn rrogoz.
Sepse aty kalojnë emërimet, karrierat, disiplinimi dhe balancat e pushtetit brenda drejtësisë shqiptare.
Në këtë klimë, gara nuk zhvillohet më vetëm në korridoret e politikës apo të drejtësisë. Ajo zhvillohet edhe në auditore universitetesh, në mbledhje departamentesh dhe në zyrat akademike ku prej kohësh kanë nisur lëvizjet për të siguruar vota dhe mbështetje.
Dhe vendimi për pezullimin e dekanes së Fakultetit të Drejtësisë tregon se kjo betejë tashmë ka dalë hapur në sipërfaqe.







