Vjedhja e telefonave në Londër po merr përmasa alarmante, por për shumë viktima makthi nuk mbaron me humbjen e pajisjes. Pas grabitjes së iPhone-it të tij në qendër të Londrës, amerikani Alex Pikula dhe familja e tij u përballën me kërcënime brutale, video me armë dhe tentativa shantazhi nga persona që dyshohet se ndodheshin në Kinë.
Alex Pikula, 37 vjeç nga Çikago, po dilte nga një teatër në West End kur një person me biçikletë elektrike i rrëmbeu telefonin nga duart dhe u zhduk. Fillimisht mendoi se ishte thjesht një tjetër vjedhje rruge, por shumë shpejt situata mori një kthesë të frikshme.

Pak ditë më vonë, nëna e tij nisi të merrte mesazhe të çuditshme që pretendonin se hajdutët kishin akses në email-et, kartat bankare dhe informacionin personal të djalit të saj. Fillimisht mesazhet dukeshin si njoftime zyrtare të Apple Pay, por më pas u shndërruan në kërcënime të hapura.
Në një video të dërguar familjes, një burrë shfaqej duke tundur një armë, ndërsa mesazhet paralajmëronin përdhunim, dhunë dhe vrasje nëse familja nuk shkëpuste Apple ID nga telefoni i vjedhur. “E dimë kush je dhe ku jeton”, thuhej në një prej tyre.
Sipas policisë britanike, kjo është bërë një skemë e zakonshme e rrjeteve kriminale që trafikon telefonat e vjedhur drejt Kinës, kryesisht në qytetin Shenzhen. Nëse pajisja mbetet e lidhur me Apple ID-në e pronarit, ajo humbet pothuajse gjithë vlerën në tregun e zi dhe mund të përdoret vetëm për pjesë këmbimi.
Autoritetet thonë se kriminelët fillimisht përdorin mashtrime duke u paraqitur si Apple apo blerës “miqësorë”, por nëse viktimat nuk reagojnë, kërcënimet bëhen gjithnjë e më agresive. Ekspertët e sigurisë dhe policia besojnë se shumica e këtyre kërcënimeve janë bosh dhe përdoren vetëm për presion psikologjik, por pranojnë se ato mund të jenë tepër traumatike për viktimat.
Vetëm në vitin 2024, në Londër u raportuan mbi 81 mijë telefona të vjedhur, ndërsa autoritetet britanike po kërkojnë që Apple të shtojë masat e sigurisë për t’i bërë pajisjet e vjedhura plotësisht të papërdorshme.
(Burimi: NYT)






