Filmi i radhës i Christopher Nolan është “Odisea”, vepra epike e bazuar në historinë mitike të Homerit, të cilën kinemaja dhe televizioni e kanë sjellë edhe më parë në ekran, veçanërisht me serialin e famshëm italian “Odiseja” të vitit 1968.
Aksioni, i xhiruar këtë herë me teknologjinë më të re IMAX, sjell sagën themelore të Homerit në një version modern dhe spektakolar, që do të shfaqet në kinematë e gjithë botës më 17 korrik 2026.
Filmi është xhiruar në disa vende të botës dhe konsiderohet një nga projektet më ambicioze të Nolan-it, i njohur për sukseset si “Oppenheimer”, “Interstellar”, “Inception” dhe trilogjia “The Dark Knight”.
Në “Odisenë” hollivudiane luajnë një kast aktorësh të njohur si Matt Damon, Tom Holland, Anne Hathaway, Robert Pattinson dhe Lupita Nyong’o, së bashku me Zendaya dhe Charlize Theron.

Sekuencat e para të trailerit janë mbresëlënëse dhe kanë ngjallur menjëherë interes të madh në rrjet, duke grumbulluar dhjetëra milionë shikime vetëm në ditët e para të publikimit.
Por për publikun shqiptar, Uliksi do të mbetet gjithmonë legjendari Bekim Fehmiu, interpretimi i të cilit në serialin klasik italian vazhdon të konsiderohet një nga figurat më ikonike të ekranit.






