Europa po përjeton temperatura rekord për muajin maj, ndërsa në shumë vende pranvera është shndërruar papritur në verë përvëluese. Meteorologët francezë e lidhin fenomenin me një “kupolë të nxehti”, një masë ajri të nxehtë e bllokuar nga presioni i lartë atmosferik, që ka sjellë temperatura më shumë se 10 gradë mbi normalen sezonale.
Gazetarët e “The Guardian” kanë raportuar nga pesë kryeqytete europiane – Madrid, Paris, Londër, Dublin dhe Berlin – ku turistë dhe banorë tregojnë se si po e përjetojnë këtë valë të pazakontë të nxehti dhe frikën se çfarë mund të sjellë e ardhmja klimatike.
Madrid: “Vapa po vjen çdo vit më herët”

Në Madrid, temperaturat iu afruan 30 gradëve Celsius, ndërsa turistët u panë duke kërkuar hije në Plaza Mayor.
Jim dhe bashkëshortja e tij Marina, turistë nga Australia, thanë se kishin ardhur të përgatitur për mot më të freskët. “Këto nuk janë temperaturat që prisnim për maj”, thanë ata.
Ndërsa 23-vjeçari peruan Fabricio Deza, i veshur me kostumin e rëndë të King Kong-ut për të bërë foto me turistët, tha se sekreti për të mbijetuar është “të pish tre litra ujë në ditë dhe të fshihesh në hije kur nuk durohet më”.
Shitësi i lotarive Juanjo Ayuso, i cili kalon deri në 10 orë në ditë në rrugë, u shpreh i shqetësuar: “Vapa nuk ndalet më. Dhe duket se po vjen gjithnjë e më herët çdo vit.”
Paris: “Nxehtësia është e frikshme”

Në Paris, studentja 21-vjeçare Darcey tregoi se apartamenti i saj në katin e fundit është bërë pothuajse i pajetueshëm.
“Ndonjëherë është aq vapë sa të tremb të dalësh jashtë”, tha ajo, ndërsa freskohej në shatërvanët e Place des Vosges.
Barbara, një radiologe braziliane që po udhëtonte me familjen dhe vajzën njëvjeçare, tha se ishte tronditur nga temperaturat. “Mendoni/k për të ardhmen e planetit”, u shpreh ajo.

Edhe nxënësit e shkollave ankohen se nuk arrijnë të flenë apo të studiojnë nga temperaturat e larta, ndërsa shumë shkolla nuk kanë kondicionerë apo ventilatorë.
Londër: “Çdo vit thyhet një rekord i ri”
Në Londër, temperatura arriti 34 gradë Celsius pranë Buckingham Palace.
Autumn, 19 vjeç nga New Jersey, tha se moti ishte “tronditës”, ndërsa partneri i saj Cameron paralajmëroi: “Po bëhet gjithnjë e më nxehtë dhe nuk po ndalet. Çdo vit Anglia thyen një rekord të ri temperature – kjo nuk është normale.”

Turistët ankohen gjithashtu për mungesën e infrastrukturës për vapën, si pika uji, hije dhe tualete publike.
Dublin: Irlanda thyen rekorde temperature

Në Dublin u regjistrua temperatura më e lartë e muajit maj në histori: 29.7 gradë Celsius.
Turistja egjiptiane Manal Yousseff tha se kishte sjellë pallto dimri dhe veshje kundër shiut, por u përball me diell dhe temperatura verore.
“Është e pabesueshme”, tha ajo, ndërsa shihte njerëzit që notonin dhe bënin banjo dielli në jug të Dublinit.
Berlin: “Sikur të ishim në Turqi”

Edhe Berlini përjetoi temperatura pranë 30 gradëve Celsius, duke mbushur plazhet urbane dhe liqenet me njerëz.
Turistët nga Amerika Latine thanë se Berlini nuk është i përgatitur për të përballuar vapën ekstreme, pasi mungojnë sistemet e kondicionimit.
Ndërsa dy adoleshente me origjinë turke thanë se, teksa pushonin në plazh, “mbyllëm sytë dhe menduam se mund të ishim në Turqi tani”.
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po e bëjnë Europën gjithnjë e më të ekspozuar ndaj valëve të nxehtësisë ekstreme, të cilat po vijnë më herët dhe po zgjasin më shumë se kurrë më parë.
(Burimi: Pёrshtatur nё shqip nga The Guardian)






