Të paktën 22 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur pas një vale masive sulmesh me raketa dhe dronë që Rusia ndërmori gjatë natës kundër disa qyteteve të Ukrainës.
Sipas autoriteteve ukrainase, sulmi përfshiu një numër rekord prej 656 dronësh dhe 73 raketash, duke goditur kryesisht kryeqytetin Kiev, si dhe rajonet e Dnipros, Poltavës, Kharkivit dhe Zaporizhias.
Forcat Ajrore të Ukrainës deklaruan se arritën të neutralizonin 602 dronë dhe 40 raketa, por pavarësisht kësaj, dëmet dhe humbjet njerëzore ishin të konsiderueshme.
Në Kiev, kryebashkiaku Vitali Klitschko njoftoi se gjashtë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, mes tyre edhe dy fëmijë. Pamjet nga kryeqyteti treguan banesa të dëmtuara, automjete të shkrumbuara dhe ekipe shpëtimi që punonin mes rrënojave.
Goditja më e rëndë u regjistrua në rajonin qendror të Dnipropetrovskut, ku humbën jetën të paktën 16 persona dhe 36 të tjerë u plagosën, përfshirë fëmijë. Në Kharkiv, në verilindje të vendit, autoritetet raportuan 15 të plagosur, mes tyre një fëmijë.

Gazetarja e Al Jazeera-s në Kiev raportoi se prej disa ditësh qyteti jetonte nën frikën e një sulmi të madh rus. Stacionet e metrosë dhe strehimoret ishin mbushur plot me qytetarë që kërkonin mbrojtje gjatë natës.
“Shumë njerëz e prisnin një sulm të tillë, por pavarësisht paralajmërimeve, frika në kryeqytet ka qenë e jashtëzakonshme ditët e fundit”, raportoi ajo.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e shfrytëzoi sulmin për të bërë një tjetër apel ndaj aleatëve perëndimorë, duke kërkuar më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore.
“Europa ka nevojë për mbrojtjen e saj kundër raketave balistike dhe ndihma amerikane me raketa për sistemet Patriot është absolutisht e domosdoshme”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, e cilësoi bombardimin si provë të dëshpërimit të Moskës.
“Putini është një kriminel lufte që nuk ka më asnjë kartë tjetër përveç terrorit. Moska po humbet në fushën e betejës dhe asnjë numër raketash nuk mund ta ndryshojë këtë”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Rusia, ndërkohë, deklaroi se objektivi i sulmeve ishte kompleksi ushtarako-industrial ukrainas. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se bombardimet kishin në shënjestër objektiva ushtarake, infrastrukturë energjetike dhe rrjete transporti të përdorura nga ushtria ukrainase.
Edhe Rusia raportoi pasoja nga kundërsulmet ukrainase. Në rajonin kufitar të Kurskut, një person humbi jetën pas një sulmi me dron, ndërsa në Krasnodar shpërtheu një zjarr në një rafineri nafte pas një tjetër goditjeje ukrainase.
Sulmi vjen vetëm pak ditë pasi Zelensky paralajmëroi publikisht se shërbimet sekrete ukrainase kishin informacion se Rusia po përgatiste një ofensivë të re në shkallë të gjerë.
Ndërkohë, përpjekjet amerikane për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes dy vendeve duket se kanë kaluar në plan të dytë, ndërsa administrata e Presidentit Donald Trump është përqendruar kryesisht te zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Burimi: Al Jazeera, AFP, Reuters





